ATSH/ Nё vijim tё rifillimit të aktiviteteve pas situatёs sё jashtёzakonshme tё krijuar nga epidemia COVID-19, problem mbetet rintegrimi në tregun e punës të atyre që dolën të papunë për shkak të kësaj situate.
Për këtë arsye Ministria e Financave dhe Ekonomisë së bashku me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive kanë hartuar një plan masash.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Elira Çaushi në një intervistë për ATSH-në deklaroi se plani i masave është i fokusuar në orientimin e këtyre të papunëve të cilët kanë nevojë për të marr një drejtim të ri profesional në Drejtoritë tona të Formimit Profesional Publik, të cilat janë të shtrira në të gjithë vendin dhe ofrojnë drejtime e profile profesionale e të shumta.
Kurrikulat tona të unifikuara, shprehet Çaushi, mundësojnë zbatimin me të njëjtin standard kudo ku ato jepen.
Sipas saj, duke qenë se si Zyrat e Punësimit ashtu edhe Drejtoritë e Formimit Profesional Publik janë institucione në varësi të AKPA marrëdhënia nuk ka burokraci, e cila do ta bënte të vështirë aksesin e qytetarëve të interesuar apo zgjaste procedurat në kohë.
Përmes Zyrave të Punësimit, tha ajo, të gjithë të papunët do të drejtohen, qartë në këto Qendra Formimi për të filluar kursin.
“AKPA ka kryer një studim të tregut të punës në 12 rajonet duke identifikuar sektorët e prekur dhe duke parë profilet e atyre që kanë shkëputur marrëdhënien e punës me qëllim identifikimin e kurseve, të cilët do të jenë më të vlefshëm për tu zhvilluar duke plotësuar nevojat e tregut”, shprehet Çaushi për ATSH.
Sipas Çaushit, të gjithë këta persona do të kontaktohen nga AKPA dhe përmes një pyetësori që do u drejtohet do të mbledhim informacionin e dobishëm dhe do i prezantojmë atyre të gjitha mundësitë që kanë për të marrë një profesion.
“Çdo punëkërkues i papunë, i cili do të regjistrohet pranë Zyrës se Punësimit në bashkinë ku jeton do i ofrohet mundësia e përfitimit të kursit profesional falas, me procedura mjaft të thjeshta”, u shpreh Çaushi.
Ndërkohë prej ditës së hënë të javës që po lëmë pas ka rifilluar procesi mësimor në të gjithë qendrat, me të gjithë kurset e ndërprera për shkak të pandemisë.
“Me mbarimin e tyre, duke marr parasysh edhe punën me kapacitete të reduktuara fizike, ne do të rifillojmë kurset e reja”, shprehet Çaushi.
Pasi të identifikohen të gjitha nevojat e këtyre individëve, AKPA do bëj të mundur edhe realizimin e kurseve në ambientet fizike të Shkollave të Mesme të Formimit Profesional, sipas drejtimeve që ato kanë dhe kurrikulave që ne ofrojmë.
“Kjo bëhet me qëllim trajnimin e sa më shumë individëve në një kohë të shkurtër, duke shfrytëzuar maksimalisht çdo burim tonin dhe duke marrë parasysh respektimin e distancimit social dhe respektimin e rregullores COVID-19 për ushtrimin e veprimtarisë së kurseve të formimit profesional, me një numër të reduktuar kursantësh në klasë nën masat e rrepta higjieno sanitare”, deklaroi Çaushi.
Në situatën e krijuar prej epidemisë së COVID-19, mbi 230 mijë qytetarë kanë marrë mbështetje financiare nga dy Paketat Financiare të Qeverisë deri në datë 11 Qershor. Po ashtu qeveria ka vënë në dispozicion edhe 26 miliardë lekë si garanci sovrane për bizneset për kreditimin për pagat e punonjësve me interes 100% të subvencionuar nga shteti shqiptar, si dhe investime./a.gjonaj/ /a.g/