/ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot dy nga kantieret e rindërtimit të objekteve arsimore në bashkinë e Kamzës, njëra prej bashkive që ka përfituar më tepër investime në objekte shkollore.

“Shkolla dhe kopshti “Halit Çoka”, mjedise edukimi të rilindura me standardet më të mira europiane, pas tërmetit që rrënoi ngrehinat e vjetra jashtë çdo standardi, duke na bërë më të fortë në mbështetje të fëmijëve, mësuesve e prindërve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “në bashkinë Kamzë, janë plot 14 shkolla e kopshte të reja, që po marrin jetë nga themelet, e që do t’ia ndryshojnë përgjithmonë faqen arsimit në këtë zonë”.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli u shpreh se “kopshti ka një sipërfaqe 2700 m2 dhe është disa herë më i madh se sa ishte”. “Cilësia nuk ka krahasim. Kopshti ka 8 klasa, dy ambiente të brendshme për të luajtur fëmijët. Këtu sistemohen 220 fëmijë. Në 30 vite kjo njësi nuk ka patur asnjëherë kopsht me standarde të tilla, me sistem kamerash e sistem ngrohje. Ndërkohë kërkesat për pranime në këtë kopësht janë trefishuar”, tha Suli.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj vuri në dukej se kopshti është ndërtuar në kohë rekord, për 3 muaj dhe këtu është shënuar një nga rekordet e procesit të rindërtimit.

“Kamza është një nga bashkitë që ka përfituar goxha investime në ambiente shkollore dhe arsimore”, tha Ahmetaj.

Ndërkohë, ai theksoi se në kuadër të programit të rindërtimit, në Kamzë po ndërtohen 21 pallate me mbi 300 njësi individuale dhe numri i shkollave, kombinim nga buxheti i shtetit dhe nga donatorët shkon në 14 shkolla vetëm në Kamzë.

Ahmetaj theksoi se “me fakte brenda procesit të rindërtimit kemi ndërtuar më shumë shkolla se sa janë ndërtuar në 30 vite”.

“Jo më larg se para 10 muajsh ne filluam tullat e para të rindërtimit dhe gjithë skeptikët nuk e besonin se do të vinim në këtë ditë. I referoheshin projekteve 3D, madje u bënë qesharakë. U kam shkruar edhe atyre që nuk besonin në legjitimitet sepse në 30 vite kanë parë premtime të rrëzuara në tokë brenda një stine, por sot janë të gjitha realitet”, tha Ahmetaj.

Në vijim, kryeministri vizitoi edhe ambientet e shkollës e cila ka një sipërfaqe prej 6 mijë m2 dhe ku mësojnë 1600 nxënës. Shkolla ka 28 klasa mësimore, 6 laboratore dhe është ndërtuar në kohë rekord.

“Kjo është një nag shkollat më të mëdha që kemi ndërtuar ne dhe mbaron para datës 20 shkurt”, tha Ahmetaj.

Ndërkohë për sa i takon rindërtimit të banesave individuale, Suli tha se “vetëm në njësinë Bathore janë në rindërtim 30 shtëpi individuale që jemi gati në përfundim”.

“Në objekte arsimore nuk ka qenë vënë dorë në 30 vite, si në kopshte dhe në shkolla”, tha ai. /m.m/