ATSH/ Kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli u shpreh sot se fqinjësia e mirë mbetet kryekapitull i politikës së jashtme të qeverisë.

Kodheli u ndal tek vizita e kryeministrit në Athinë, duke theksuar se ishte e fokusuar në dy pjesë: takimi me kryeministrin grek Mitsotaqis dhe njëkohësisht një takim i organizuar nga një revistë prestigjioze, ku kishte figura të shquara, aktorë dhe faktorë të politikës rajonale të vendit atje dhe jo vetëm.

“Rindaj edhe njëherë bindjen time të thellë se nuk ka asnjë negociatë të fshehtë, sepse nuk mund të ketë një të tillë”, u shpreh Kodheli duke iu përgjigjur pyetjes për një marrëveshje për detin.

“Ka dy komisione ekspertësh të cilët duhet të riformatohen për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur, qoftë në Shqipëri e qoftë në Greqi lidhur me ndryshimet politike dhe për pasojë komisionet janë fluide. Komisione të cilat në rastin e Shqipërisë miratohen nga Presidenti i Republikës dhe vetëm pas kësaj hyhet në negociata, gjithmonë në negociata ekspertësh. Sigurisht që në bazë të negociatave të ekspertëve ka gjithmonë një këndvështrim politik, i cili mirëfilli duhet të jetë prezent menjëherë pasi specialistët dhe ekspertët bazuar në legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar, të mundësojnë një dakordësi për një çështje e cila jo vetëm që daton herët, ka qenë e parapërcaktuar si delinejim dhe madje është abuzuar me këtë, sepse vendimi unanim i asaj kohe, i Gjykatës Kushtetuese për të hedhur poshtë marrëveshjen e 2009, flet qartë për këtë gjë’’, deklaroi Kodheli.

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme tha se vizita e Kryeministrit në Greqi ka rëndësi edhe për forcimin e marrëdhënieve bilaterale si dhe lehtësitë që u krijohen shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinj.

“Marrëdhënien me Greqinë do ta shihja në dy aspekte mjaft të rëndësishme. Në aspektin që lidhet me prezencën e shqiptarëve atje, të diasporës, dhe sigurisht aspektet e politikës dhe fqinjësisë së mirë qoftë kjo midis dy vendeve, bilaterale apo multilaterale, rajonale dhe jo vetëm. Më lejoni të filloj me atë çka është më e rëndësishme, diaspora atje, shqiptarët atje. Unë besoj që janë bërë përparime të jashtëzakonshme lidhur me mundësimin apo shtimin e të drejtave që shqiptarët kanë atje. Nuk po i listoj, se mbase nuk kemi kohë: njohja e patentave apo të tjera si këto. Pra është avancuar dhe përparuar në raport me facilitetet që qytetarët shqiptarë duhet të perceptojnë atje, qytetarët shqiptarë me pasaporta shqiptare ose ato që kanë dy nënshtetësi dhe kjo është gjë shumë e rëndësishme. Në fund të ditës, kjo e forcon lidhjen dhe bashkëveprimin midis dy vendeve tona. Le të rikujtojmë: Greqia jo vetëm është fqinji ynë shekullor, por është vend anëtar i NATO-s, vend i Bashkimit Europian me një zë në kapitull. Pra, le të themi nga ristrukturimi mbi baza të shëndosha i marrëdhënies së fqinjësisë së mirë do të vazhdojë të mbetet kryekapitull i politikës së jashtme të kësaj qeverie”, u shpreh Kodheli.

“Nga ana tjetër, unë besoj se ka pasur gjëra deri dje të pamundura për t’u realizuar apo të pamundura që do të shkohet dhe në fakt është shkuar siç është njohja e Maqedonisë me një emër të ri dhe dakordësimi për një emër të ri. Pra, asgjë nuk është e pamundur dhe unë besoj që me dëshirë dhe vullnet të mirë politik dhe pse jo me asistencë të vendeve të treta, të Gjykatave Ndërkombëtare apo të dashamirësve tanë të të dy vendeve, të dy palëve, ne mund të mbërrijmë jo vetëm dakordësinë mbi delinejimin, por edhe shtyrjen e këtyre marrëdhënieve akoma më tutje në funksion të të mirës së të dy popujve’’, deklaroi ndër të tjera, Kodheli.

Duke u ndalur te Kosova, Kodheli shtoi se nuk sheh asnjë problem.

“Ne jemi një gjuhë, një komb, do të vazhdojmë të jemi të tillë në shekuj. Gjërat, mosmarrëveshjet që ju i konsideroni mosmarrëveshje të momentit, të cilët unë nuk i konsideroj të tilla, janë vetëm pjesë e zhvillimit, ndaj nuk shikoj asnjë shqetësim dhe asnjë problem në marrëdhëniet me Kosovën”, u shpreh ajo.