Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Rruga e Arbrit e ndërtuar me PPP do të jetë pa pagesë dhe do të mirëmbahet nga kompania.

Në një intervistë televizive e realizuar nga Ura e Vashës në Rrugën e Kombit, Rama tha se “kjo është një vepër jashtëzakonisht komplekse, sidomos pasi është përdorur një teknologji e fjalës së fundit me hapësira drite shumë spektakolare”.

“Mendoj se kjo rrugë është një arsye shumë e fortë për të besuar fort te kompanitë  shqiptare që tanimë kanë mbërritur në një nivel ndërkombëtar. Ne e nisëm në një proces të mbartur me negociata me kinezët, negociatat nuk përfunduan me sukses për shkak të kushteve që na u dukën të pafavorshme për interesin publik. Pastaj hymë në një proces tjetër. Gjithmonë me punët publike, sidomos në këto vepra inxhinierike me të papriturat e tyre ka gjithmonë vonesa”, tha Rama.

Megjithatë, Kryeministri theksoi se kompania është brenda afatit. “Ka qenë shtysa ime e madhe për të mbaruar sa më shpejt, por kompania është brenda afatit. Edhe në rast se përfundon brenda verës, sërish është para afatit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo është një rrugë që bëhet me PPP për dy arsye. Së pari, sepse në rast se do të shfrytëzonim buxhetin tonë do të ishte e pamundur dhe duhet të spostonim më shumë para nga të tjera programe të rëndësishme të buxhetit të shtetit dhe faktikisht rruga realizohet në një kohë goxha të shkurtër dhe shlyhet për 13 vjet, ose do prisnim dhe 13 vite ose do bënim rrugën dhe do e paguajmë”.

Po ashtu, Rama tha se një arsye tjetër. Kjo, sipas tij, u bë për të qenë një rrugë pa pagesë deri të paktën momentin kur do të shlyhet plotësisht.

“Gjatë gjithë kësaj kohe do të mirëmbahet nga kompania. Ne do të jemi në mbështetje financiare edhe për mirëmbajtje dhe njerëzit do ta kenë këtë rrugë pa pagesë”, tha ai.

Ndërkohë, Rama tha se “autostrada tjetër Milot-Fier, vepra e madhe që duhet të kishte nisur disa muaj më parë, por nuk nisi si rezultat i mospajtimit dhe mospëlqimit tonë për kushtet, se ne, ndryshe nga ç’thuhet, jemi mbrojtës të interesit publik, do të jetë me pagesë”.

“Milot-Fier, i kombinuar me Milot-Muriqan do të jetë me pagesë, por do të ketë rrugë normale alternative. Ato do të jenë përsëri në dispozicion, ndërkohë që autostrada e shpejtësisë për të shkuar nga Muriqani në Vlorë do të jetë me pagesë”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se “kjo rrugë dhe rruga e Lumit të Vlorës, janë dy akse fantastike të një Shqipërie që nuk e njohim”.

“Edhe për mua është një zbulim që kur ka filluar puna për Rrugën e Arbrit unë kam zbuluar gjithë këtë zonë. Për 99 % të shqiptarëve do të jetë zbulim edhe kjo rrugë dhe zona e Lumit të Vlorës, një tjetër parajsë. Dy parajsa tokësore ku ka varfëri se ka pasur izolim të madh dhe ky bukuritë e natyrës kthehen në asete ekonomike fantastike për të zhvilluar blegtorinë, agroturizmin, turizmin duke i kthyer trojet e të parëve në troje prodhuese”, tha Rama.