ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi sot se është përgatitur projektligji për tokat bujqësore që mund të blihen nga shtetasit e huaj dhe se së shpejti do të bëhet publik me të gjitha detajet përkatëse.
Në një konferencë për mediat, në përgjigje të interesit të gazetarëve për këtë nismë, ministri Salla bëri të ditur se procesi është në fazën përfundimtare të përgatitjes ligjore.
“Është mundësi që e kemi përgatitur. Jemi në fazën e një procesi që po e përgatisim dhe për pak kohë, sapo të kemi edhe aspektet ligjore do ta bëjmë publik për të pasur të gjitha mundësitë dhe proceset që do të kryejmë për të përfituar nga ky projektligj”, u shpreh Salla.
Ministri deklaroi se, drafti do të publikohet sapo të përmbyllen procedurat përkatëse ligjore, duke garantuar transparencë në proces.
/e.xh/a.f/



























