Në një intervistë për mediet, Klodion Shehu, drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, theksoi se institucioni monitoron në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, duke vlerësuar ndikimin e tyre në stabilitetin financiar të vendit.
Sipas tij, sektori bankar shqiptar paraqitet i qëndrueshëm, me tregues të mirë financiarë dhe me cilësi të kënaqshme të portofolit të kredisë. Banka e Shqipërisë vlerëson se sistemi bankar ka kapacitete të mjaftueshme për të përballuar goditje të mundshme, ndërsa vijon të ndjekë me kujdes rritjen e çmimeve të pronave për të parandaluar krijimin e rreziqeve afatgjata.
Shehu nënvizoi se interesi për blerjen e pronave, veçanërisht në zonat bregdetare, mbetet i lartë. Kjo kërkesë mbështetet jo vetëm nga blerësit vendas, por edhe nga shtetasit jorezidentë, si dhe nga zhvillimi i vazhdueshëm i sektorit të turizmit, i cili po nxit investimet në pasuri të paluajtshme.
Duke folur për kreditimin e banesave, ai u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm përpara marrjes së një kredie, duke analizuar me vëmendje të ardhurat aktuale dhe perspektivën e tyre financiare në të ardhmen. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e njohjes së plotë të kushteve kontraktuale, detyrimeve dhe të drejtave që rrjedhin nga marrëdhënia me bankën.
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë gjithashtu masa makroprudenciale për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme, me synim forcimin e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga mbingarkesa me borxhe.
/e.xh/j.p/



























