Në spitalet rajonale të Vlorës dhe Elbasanit, shërbimi u ofrohet dhjetëra pacientëve në mënyrë të rregullt, ndërsa strukturat mbulojnë edhe qytetarë nga njësitë përreth.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se në Spitalin Rajonal të Vlorës, shërbimi i dializës funksionon gjashtë ditë në javë dhe aktualisht u shërben 60 pacientëve të përhershëm, krahas pacientëve që marrin trajtim të përkohshëm.
Ndërsa, në qendrën e hemodializës pranë spitalit të Elbasanit, e cila funksionon prej vitit 2017, marrin shërbim 162 pacientë të përhershëm, si dhe pacientë që trajtohen në mënyrë sezonale. Qendra mbulon edhe pacientë nga Peqini, Librazhdi, Gramshi dhe Belshi.
“Që prej 2019-ës, falë edhe të protokolleve ndërkombëtare dhe digjitalizimit të sistemit, ne jemi në gjendje që të ofrojmë një shërbim më të mirë dhe më të përmirësuar për pacientët tanë. Gjithashtu edhe falë mbështetjes së përditshme nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, kjo gjë është bërë e mundur gjatë gjithë këtyre viteve”, shprehet një mjeke e spitalit të Elbasanit.
Një pacient që merr trajtim prej nëntë vitesh në repartin e dializës në Elbasan vlerëson përkujdesjen e stafit mjekësor dhe infermieror.
“Unë jam një pacient që kam 9 vite në dializë këtu në këtë repart. Por ky shërbim na është dhënë dhe vazhdon që të na jepet në mënyrë perfekte, prej një përkujdesje nga ana e stafit mjekësor, nga ana e infermierëve, nga të gjithë personeli këtu”, shprehet ai.
Prej vjeshtës së këtij viti, shërbimi i hemodializës pritet të kalojë në menaxhimin e strukturave shtetërore, me synim integrimin më të mirë me shërbimet e tjera spitalore dhe forcimin e këtij shërbimi për pacientët.
Kalimi në menaxhimin shtetëror synon të garantojë vijimësinë e shërbimit dhe akses më të mirë të pacientëve në trajtim pranë vendbanimit.
/e.i/j.p/



























