/ATSH/Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Rektorit të UT, Mynyr Koni për shkarkimin nga detyra të kryetares së KIZ, Majlinda Keta si dhe të personelit akademik, Bernard Dosti, Oriona Muçollari, Ardian Doka dhe Eglantina Gishti.

Sipas Senatit, referimi në Kodin e Punës nuk ka revelancë ligjore për punësimin dhe ndërprerjen e marrëdhënieve të punës për personelin akademik, i cili rregullohet nga Ligji i Arsimit të lartë dhe Senati i UT.

“Senati vendosi të konstatojë pavlefshmërinë absolute të vendimeve të rektorit të Universitetit të Tiranës për zgjidhjen në mënyrë të menjëhershme të kontratave të punës për personelin akademik me kohë të plotë, Majlinda Keta, Bernard Dosti, Oriona Muçollari, Ardian Doka, Eglantina Gishti dhe vazhdimin e marrëdhënies së punës së tyre me universitetin në njësitë përkatëse.

“Referimi tek Kodi i Punës nuk ka revelancë ligjore për punësimin dhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës për personelin akademik i cili rregullohet nga Ligji për Arsimin e Lartë dhe statusi UT”, thuhet ne vendimin e senatit.

Gjithashtu në vendimin e tij, senati shprehet se zgjedhja e KIZ të ri do të bëhet mbas përfundimit të procesit zgjedhor në UT.

“Për shkak se procesi zgjedhor ka filluar në UT, zgjedhja e KIZ të ri do të bëhet pas përfundimit të këtij procesi për Autoritetet Drejtuese dhe Organinin Drejtues në Universitetin e Tiranës”, thuhet në vendim.

Ky vendim i përcillet për zbatim Rektorit, Drejtuesve të Njësive, KIZ dhe KZF të fakulteteve sic dhe u njoftohet personelit akademik, Bordit të Administrimit dhe Administratorit të Universitetit të Tiranës. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Pas mbledhjes së senatit akademik ka reaguar rektori Koni me një letër të hapur drejtuar personelit akademik dhe UT ku shpjegon se marrja e një vendimi të tillë nuk është kompetencë e senatit akademik dhe se mbledhja e organizuar është e paligjshme. Si rrjedhim sipas Konit, akti dhe vendimi i nxjerrë janë të paligjshëm.

“Sigurisht që kjo çështje nuk është aspak kompetencë e Senatit Akdemik”, thuhet ndër të tjera në letrën publike të rektorit Koni. z.tosku/j.p/