Struktura rrethore e banimit 12 metra e gjerë ishte e ndërtuar vetëm me kafka, dhëmbë e skelete të mamuthit leshator.
Një shembull spektakolar arkitekture i ndërtuar vetëm kocka mamuthi që datojnë rreth 25,000 vjet më parë, është zbuluar nga gërrmimet në një pikë arkeologjike në Rusi, çka i dha studiuesve një ide sesi njerëzit jetonin në Epokën e Akullit.
Struktura u zbulua nga gërrmimet në pikën arkeologjike Kostenki 11, në stepat 300 km në jug të Moskës, pranë lumit Don, ku janë gjetur një numër vendbanimesh nga epoka Paleolitike.
Alexander Pryor, arkeolog i universitetit britanik të Exeter, një nga autorët e studimit, thotë kockat janë grumbulluar nga tjetërkund dhe sjellë në këtë vendndodhje, duke e bërë strukturën“të jashtëzakonshme.”
“Duket qartë se shumë kohë e përpjekje kanë shkuar për ndërtimin e kësaj strukture, e cila strehonte njerëz të rëndësishëm.”
Provat tregojnë se brenda saj digjeshin zjarre si dhe u zbuluan mbetje ushqimore perimesh. Kjo do të thotë se vendasit hanin disa tipe ushqimesh bimore. Pryor tha më tej: “Është hera e parë që gjejmë copa të mëdha qymyr druri brenda këtyre strukturave, dhe kjo do të thotë se këtu ka pasur pemë”.
Një numër gropash me kocka të varrosura mamuthësh u zbuluan jashtë vendbanimit, që do të thotë se aty magazinohej ushqimi.
“Nga mamuthët sigurisht që merrej shumë mish, kështu që ne po interesohemi në idenë e ruajtjes, përpunimit të ushqimit apo aktivitetet e lidhura me këto, që kryheshin atëherë”.
Rreth 70 struktura të ngjashme janë të shpërndara në Rusinë perëndimore dhe Ukrainë, por kjo e fundit duket më e vjetra, një nga më të mëdhatë dhe më e komplikuara.
Të tjera nga të ashtuquajturat “shtëpi mamuthi” datojnë rreth 22 000 vjet më parë dhe ishin strehim për temperaturat e akullta të epokës. Ndryshe nga e fundit ato ishin më të vogla dhe përfshinin mbetje arinjsh, drerësh, ujqish, dhelpra e dhelpra arktike. Kjo sugjeron se njerëzit përdornin ç’të kishin për ndërtimin e shtëpive të tyre.
Top Channel