Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën katërmujore të vitit 2023, arritën në rreth 172.6 miliardë lekë, me një realizim në masën 88.1 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë ka rezultuar 2 % më i lartë ose rreth 3.4 miliardë lekë më shumë.

Referuar raportit të publikuar nga Ministria e Fincancave dhe Ekonomisë mbi treguesit fiskal paraprak, në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për periudhën 4-mujore të vitit 2023 u realizuan në masën 24.7 % të planit vjetor.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 92 % dhe 80.5 % të planit të periudhës.

Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 28.3 % dhe 14.2 % të tij.

Shpenzimet korente për periudhën 4-mujore të vitit 2023 rezultuan në rreth 154.9 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, ky zë ka rezultuar 6.8 % më i lartë ose rreth 9.8 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 4-mujore të vitit 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 17.6 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë rezulton 8.6 % më i lartë ose rreth 1.4 miliardë lekë më shumë.