Sekretari i shtetit kroat në portin e Durrësit: Nis puna për linjat e transportit të udhëtarëve dhe mallrave me tragete
TIRANË, 15 korrik/ATSH/  Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu priti në një takim pune një delegacion nga Kroacia, i cili po zhvillon këto ditë një vizitë në vendin tonë.
Gjatë vizitës Vengu i njohu anëtarët e delegacionit që kryesohej nga Sekretari i Shtetit për Transportin i Kroacisë,  Josip Dilaber, me veprimtarinë e portit të Durrësit dhe investimet e planifikuara në infrastrukturën portuale dhe turizmin detar në vendin tonë.
Sekretari Dilaber shprehu interesin e palës kroate për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë për sa i përket hapjes së linjave të reja të udhëtarëve në rrugë ajrore dhe detare, duke vlerësuar veçanërisht mundësinë e vendosjes së një linje tragetesh për udhëtarë dhe për mallra nga portet kroate të Zadar dhe Rijeka drejt portit të Durrësit.
Në këtë kontekst palët ranë dakord për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për vlerësimin konkret të fizibilitetit të kësaj nisme dypalëshe dhe shkëmbimin e të dhënave lidhur me aftësitë përpunuese të porteve tona për udhëtarë dhe mallra.
Ekipi i Autoritetit Portual Durrës prezantoi gjithashtu konceptin zhvillimor të qeverisë shqiptare në zonën e integruar portuale të Porto Romanos ku parashikohet ndërtimi i një porti të ri tregtar i integruar me linjat rrugore dhe hekurudhore duke krijuar të gjithë infrastrukturën e nevojshme në shërbim të një zone logjistike konkurruese për gjithë rajonin.
Në takim ishin të pranishëm gjithashtu Ermina Lekaj Prljaskaj, deputete e pakicës shqiptare në parlamentin kroat dhe David Sopta, CEO i “Jadrolinija”, kompani lider në Adriatik për transportin e mallrave dhe pasagjerëve. Takimi me delegacionin kroat u përmbyll me një vizitë në hapësirat portuale për të parë nga afër kapacitetet përpunuese në Terminalin e Trageteve./k.s/