Në të gjithë vendin që prej nisjes së fushatës së vaksinimit “Shqipëria buzëqesh” deri më sot janë kryer 250 mijë vaksinime antikovid.

Kryeministri Edi Rama publikoi një foto ku bëri të ditur këtë shifër mjaft domethënëse.

Gjithashtu gjatë ditës së sotme janë kryer 8 134 vaksinime antikovid, në qendrat e vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore në gjithë vendin.

“Nga fillimi i fushatës “Shqipëria Buzëqesh” janë kryer 250 676 vaksinime. Ndërsa gjatë 24  orëve janë kryer 8134 vaksinime”, bën të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manasterliu.

Procesi i vaksinimit masiv ka vijuar me kalendar të kombinuar, për të moshuarit, mjekët, infermierët, stomatologët, farmacistët, arsimtarët, edukatorët, punonjësit e rendit, punonjës të medias.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani 389.540 doza të vaksinave antikovid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.1 milionë doza.

Barometri global për ritmin e vaksinimit e renditi Shqipërinë në vendin e parë, duke lënë pas edhe Serbinë në rajon, por edhe vende të Bashkimit Europian, të cilat e nisën më herët vaksinimin.

/