Gjatë takimit në presidencë, Meta, duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë, u shpreh se e mirëpret vendimin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës për rihapjen e ambasadës në Tiranë, si shprehje të interesit të drejtpërdrejtë për nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Gjithashtu ai theksoi rëndësinë e rihapjes së ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë, sa më parë të jetë e mundur. Meta u shpreh se dialogu politik konstant, bazuar në frymën konstruktive dhe respektin e ndërsjellë, si dhe bashkëpunimi në rritje, përbëjnë premisën më të mirë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Bosnje dhe Hercegovinën. Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit theksoi mbështetjen që Shqipëria jep në mënyrë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin e Bosnje-Hercegovinës. Ai vlerësoi lart kontributin e komunitetit shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe atij boshnjak në Shqipëri, si një urë lidhëse tepër të rëndësishme mes të dy vendeve dhe popujve tanë.
Në takimin e zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari Gramoz Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e mira dhe miqësore mes vendeve tona.
“Shqipëria mbetet e gatshme për të intensifikuar bashkëpunimin politik dhe në të gjitha fushat, si rritja e investimeve reciproke, shtimi i shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimi në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia etj. Shqipëria ka qenë gjithnjë në krah të Bosnje-Hercegovinës dhe do të vijojë të mbështesë fuqimisht sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social si edhe përparimin e saj në proceset euro-atlantike, duke qenë të vendosur kundër çdo përpjekje destabilizuese dhe retorike “separatiste” që vjen nga brenda dhe jashtë Bosnje-Hercegovinës. Shqipëria mbështet integrimin euro-atlantik të Bosnje-Hercegovinës, si pjesë e mozaikut të arkitekturës së sigurisë në Ballkan e më gjerë dhe është e gatshme të ofrojë përvojën e saj në këtë drejtim”, nënvizoi Ruçi.
Ai shprehu mirënjohjen për anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, zotërinjtë Džaferović dhe Komšić, të cilët në shtator 2020, vendosën në tryezën e Presidencës së këtij vendi, propozimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe inkurajoi vijimin e këtyre përpjekjeve, pavarësisht kundërshtimit të anëtarit serb të Presidencës, Milorad Dodik.
Zëvendeskryeministrja dhe Ministre e Punëve të Jashtme, Bisera Turković falenderoi Kryetarin Ruçi për mikpritjen. “Jam mahnitur nga përparimet që ka bërë Shqipëria. Ju falenderojmë për mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin, integritetin territorial, kohezionin social dhe përparimin drejt integrimin euro-atlantik të Bosnje-Hercegovinës. Situata jonë e brendshme është e trazuar dhe i ngjan një deti me dallgë, por kemi besim se do të ecim të sigurt drejt zhvillimit, progresit dhe Bashkimit Europian. Ne jemi gjithashtu për mbështetjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës.”, vuri në dukje Turković.
Ruçi dhe Turković biseduan edhe mbi mbështetjen e komunitetit boshnjak në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Bosnje-Hercegovinë, si ura të sigurta për fuqizimin e miqësisë midis dy vendeve.



























