“Shqipërinë në NATO e ka futur SHBA, që të jemi shumë të qartë. Ushtria jonë ka qenë, është dhe do të jetë një funksion i SHBA-së në radhë të parë, dhe duke qenë në NATO e gjithë NATO-s”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me qytetarë në qytetin e Fierit, ndërsa tha se “të ma tregojnë një punë që kanë bërë”, duke iu referuar PD-së dhe deklaratave të saj të fushatës elektorale.

“‘Kemi futur Shqipërinë në NATO’. E kanë futur Shqipërinë në NATO? Kanë futur këta Shqipërinë në NATO, e kuptoni ju apo jo?!”, tha Rama.

“Ky vend ka qenë, është dhe do të jetë një vend që do shkojë në luftë me SHBA dhe NATO-n si një vend i NATO-s. Për gjithë modernizimin që i ka ndodhur ushtrisë në gjithë këto vite, që është periudha më domethënëse e modernizimit, është njësoj si të dal unë tani e të them këtë gjë e bëra unë. Ne bëmë tonën, por këtë gjë e bëri partneriteti ynë me SHBA. Po shëndetësia, po arsimi? Dy pika kyçe në jetën e një familje dhe jetën e prindërve qoftë për më të moshuarit, qoftë për fëmijët e tyre, ku janë këta”, – theksoi Rama.