“Nëse situata epidemiologjike do të jetë në vijueshmëri me tendencë drejt rënies, sigurisht që do të sjellë një fundmaji ndryshe nga 2020″.

Kështu deklaroi sot zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini në një intervistë televizive.

“Por duhet të theksohet që kjo lloj tendence në ulje duhet të mbahet, masat aktuale do të vlerësohen në mënyrë dinamike, por duke parë tendencën shkojmë drejt një vere më të lirshme sesa vjet”, – tha Tomini.

Sipas saj, gjasat janë për një lehtësim më të mirë të kësaj vere.

“Do të jetë më e lehtësuar se të gjitha grupet e riskut janë vaksinuar, përfshirë edhe personelin e strukturave akomoduese që e lehtësojnë akoma situatën. Dhe pandemia ka akoma më pak efekt në turizëm. Kjo lloj tendence në rënie nuk matet me 5-15 ditë. Duhet një jetëgjatësi. Nuk ka një datë fikse”, – tha Tomini në lidhje me reduktimin e masave kufizuese.

Zv.ministrja Tomini theksoi se “rreth 19,8 % e popullatës janë të vaksinuar me një dozë antikovid, ndërsa mbi 140 mijë individë janë vaksinuar me të dyja dozat kundër koronavirusit”.

“Fushata e vaksinimit ka ecur me ritme të mira, pasi për 10 ditë janë arritur 600 mijë vaksinime, ndërsa pritet që shumë shpejt të thyejë objektivin me 1 milion të vaksinuar”, – theksoi Tomini.

Duke folur për imunizimin pas vaksinave, Tomini tha se “individët që vaksinohen me ‘Pfizer’ për dy javë e kanë imunitetin e plotë, ndërsa grupi i të vaksinuarve me ‘AstraZeneca’ e kanë 8 deri në 12 javë. Kjo ndryshueshmëri e imunitetit kur të vaksinojmë me kalendarin e plotë të gjithë fashat që ne kemi vaksinuar do të bëhet një përpjestim për të arritur në imunitetin më të lartë të tufës”.

Lidhur me situatën e infektimeve, Tomini tha se “pritshmëritë janë që nga mesi i majit të ketë një tendencë në rritje të shifrave të kovid për shkak të fushatës”.

E pyetur se kur do të marrin frymë lirisht universitetet, ata që punojnë në industrinë e muzikës, artit, me teatrot, kinematë e stadiumet, Tomini u shpreh se do të veprohet në bazë të tendencës së situatës epidemiologjike.

“Duke parë tendencën, duke u mbështetur tek imunizimi besoj që situata do të përmirësohet edhe për këto grupe”, tha Tomini.