ATSH/- Nga data 29 maj deri 19 qershor, fermerët kanë mundësinë  të aplikojnë në e-Albania, me zero dokumente, për të përfituar nga fondet që jep buxheti i shtetit si mbështetje për sektorin bujqësor përmes Skemës Kombëtare 2020.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) njofton se aplikimet këtë vit do jenë vetëm online, në portalin e-Albania.

Vëmendja jonë për fermerët dhe sipërmarrësit rural. Çdo fond publik i vënë në dispozicion të skemën kombëtare për mbështetjen e bujqësisë shkon drejtpërdrejt tek fermeri, thekson AZHBR.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, veç mbështetjes për sektorin e blegtorisë, pjesa tjetër e fondeve do të shkojë për subvencionimin e çmimit të plastmasit, shtimin e sipërfaqeve të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, certifikimin e produkteve bujqësore, dhe fermave organike, si dhe diversifikimin e aktiviteteve ekonomike në zonat rurale.

Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare 2020 është 743,9 milionë lekë dhe numri i përfituesve arrin në rreth katër mijë fermerë.

Aplikimet ishin parashikuar të nisin në fund të muajit mars, por u shtynë për shkak pandemisë së COVID-19. Masat e mbështetjes përmes Skemës Kombëtare janë komplementare me programin IPARD dhe nuk krijojnë mbivendosje me të.

e.xh/