ATSH/ 350 fermerë nga qarku i Dibrës kanë aplikuar për të përfituar mbështetje financiare nga qeveria në zhvillimin e aktivitetit të tyre në sektorin bujqësor.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bëri të ditur, se aplikimet nga qarku i Dibrës, kapin një vlerë totale financimi prej 56 milionë lekë.

Sipas të dhënave nga AZHBR, këtë vit ka pasur një interes të shtuar të fermerëve për të përfituar subvencione në bujqësi.

Në Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020 për të përfituar financim të drejtpërdrejtë nga 7 masat e mbështetjes, kanë aplikuar mbi 7 mijë e 653 fermerë.

Skema Kombëtare e këtij viti kryesisht është fokusuar në financimin me blegtorisë, me qëllim ringritjen e këtij sektori në një stad të ri zhvillimi.

Ndërkohë që në rang vendi këtë vit kanë përfituar mbështetje me subvencione rreth 5 mijë fermerë. Subvencionet këtë vit, për fermat me jo më pak se 70 krerë dele ose dhi, ishin në vlerën 1 200 lekë të reja për krerë. Ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, ishin në vlerën 10 mijë lekë të reja për krerë. Fermerët i bënë aplikimet online përmes portalit e-Albania me zero dokumente.

Aktualisht pagesat e kryera nga zbatimi i Skemës Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi dhe Blegtori për vitin 2020, po ecin me ritëm të shpejtë për të disbursuar fondet në përputhje me udhëzimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tek fermerët.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi sot se “pagesa të kryera deri në datën 18 shtator nga Skema Kombëtare e mbështetjes për bujqësinë, janë dhënë për 4 012 fermerët përfitues në vlerën totale prej 793 053 490 lekë”.

Në tre muaj, që nga mbyllja e afatit të aplikimeve (19 qershor), është shpallur vija e financimit dhe lista e fituesve, në fazën e parë, lista e përditësuar me numrin e shtuar të fermerëve përfitues nga buxheti shtesë prej 400 milionë lekë, ndërsa është publikuar dhe lista e tretë me mbi 1 500  fermerë të tjerë përfitues në 4 masat e mbështetjes të Skemës dhe po vijon disbursimi i pagesave të drejtpërdrejta për fermerët fitues.

Skema Kombëtare është një politikë mbështetëse që ndiqet nga qeveria prej disa vitesh dhe ku parashikohet një fond i veçantë çdo fillim vit i destinuar për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë që vitet e fundit po shkon drejtpërdrejtë në funksion të fermerëve dhe zhvillimit rural. /j.p/