Të shtunën, 17 prill, do të mbërrijnë 40 mijë doza të vaksinës nga “AstraZeneca”, që Shqipëria i përfiton nëpërmjet mekanizmit COVAX.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila ndoqi nga afër së bashku me Kryeministrin Edi Rama procesin e vaksinimit masiv në Kamëz.

“Vijojmë me vaksinim masiv të popullatës +60 vjeç edhe në Kamëz po vijon të kryhet ky proces. Kemi nisur me të sëmurët kronikë edhe këtu në Kamëz. Mbi 200 mijë të moshuar kanë kryer dozën e parë të vaksinës. Sapo jemi njoftuar se ditën e shtunë vijnë dhe 40 mijë doza të’AstraZeneca’ nga COVAX”, tha Manastirliu.

Më herë Manastirliu tha se procesi i vaksinimit po ecën me ritëm të lartë dhe se sot pritet të arrihen mbi 300 mijë vaksinime.

Ministrja e Shëndetësisë ka bërë me dije se këtë fundjavë do të nisë edhe vaksinimi i operatorëve turistikë.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 281,254 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Vaksinimi masiv vijon me kalendar të kombinuar për personat +60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike.