Qyteti i Elbasanit mirëpret për të 22-tin vit radhazi Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Bashkëkohor “Skampa 2020”, i cili do të zhvillohet nga data 29 shtator deri në 4 tetor.
Edhe pse në rrethana të kufizuara për shkak të situatës në të cilën ndodhemi, në këtë edicion nuk do të mungojnë prurjet cilësore bashkëkohore me larmi stilesh e formash teatrore, nga 10 trupa pjesëmarrëse shqiptare dhe të huaja, të ardhura nga Turqia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.
I gjithë edicioni i 22-të i Festivalit “Skampa” është konceptuar të mbahet në mjedise të hapura atraktive të qytetit të Elbasanit, në vendndodhje të veçanta – duke filluar nga ato të trashëgimisë kulturore e deri te sheshet – padyshim me synimin për të nxitur dialogun ndërkulturor midis artistëve, spektatorëve dhe promovuesve të artit.
Sipas drejtorit artistik të festivalit, Adonis Filipi, përmes ripërcaktimit të konceptit të teatrit në ambientin e hapur urban po dëshmohet aspirata e Festivalit Skampa drejt vazhdimësisë dhe sfidës, në mënyrë që ky edicion i 22-të të shërbejë si një akt frymëzimi për njerëzit. “Të gëzuarit dhe të ëndërruarit janë kusht ekzistencial i jetës sonë!”
Eksplorimi i gjuhës së kultivuar skenike e teatrore përmes arritjeve bashkëkohore të komunikimit artistik, alternativës dhe eksperimentit skenik e teatror, mbetet në fokusin e profilit artistik të këtij festivali. Brenda këtij profili, dihet tashmë që çdo edicion ka një slogan të veçantë, duke shënuar një sfidë artistike dhe menaxheriale të vazhdimësisë së tij. Këtë vit slogani i festivalit titullohet “Gjurmë”, që nënkupton promovimin dhe edukimin përmes prurjeve, prirjeve te reja dhe praktikave bashkëkohore teatrore në nivel kombëtar e ndërkombëtar, mbështetur në vlera origjinale të trashëgimisë kombëtare, të cilat rrokin një audiencë të gjerë duke filluar nga publiku i vogël.
Pavarësisht nga kufizimet aktuale, nuk kishte si të mungonte as këtë herë ky eveniment, i cili ndër vite ka pasur dhe vijon të ketë inkurajimin dhe mbështetjen e artdashësve të qytetit të Elbasanit, Bashkisë Elbasan, Ministrisë së Kulturës, sponsorve të ndryshëm dhe komunitetit teatror brenda dhe jashtë vendit. Ky festival me sfondin e tij të larmishëm, me rreth 300 performanca nga vendi e bota, si dhe dhjetëra workshop-e, seminare e trajnime në fushën e edukimit, edhe gjatë përballjes me vështirësitë ka ditur të vazhdojë ëndrrën, aventurën e tij, si një kompeticion vokativ e i lakmueshëm që e tejkalon dimensionin lokal, kombëtar e rajonal.
Duke qenë se Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor “Skampa” nuk ndjek vetëm një model kulturor, por njëkohësisht prodhon art e kulturë edhe të zhanreve të tjera, edhe këtë edicion nuk do të mungojnë veprimtaritë e ndryshme kulturore dhe edukuese që do të shoqërojnë festivalin. Të tilla do të jenë aktivitetet letrare, dokumetarët artistikë, vizitat e artistëve të huaj në objektet historike të Elbasanit, muze, kala etj.


Organizatorët e festivalit do të marrin të gjitha masat për një administrim të mirëpërcaktuar të distancave në kushtet e pandemisë, pajisjen e artistëve pjesëmarrës me maska, mbajtjen e tyre dhe lejimin e një numri të kufizuar spektatorësh.