TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ,pasi u njoh me problematikën e moslëshimit të diplomave të studentëve të Fakultetit të Ekonomisë (UT), përmes një shkrese ka kërkuar që UT të lëshojë menjëherë diplomat e studentëve.

“Studentët kanë shlyer të gjitha detyrimet dhe matrikullimi i tyre nga QSHA ka qenë konform ligjeve dhe akteve në fuqi, kështu që nuk ka asnjë arsye për vonesat e shkaktuara nga UT”, thuhet në një njoftim për shtyp të MASR-së.

MASR nënvizon po ashtu se e drejta e studentëve prevalon mbi çdo mosmarrëveshje të brendshme të UT që ka shkaktuar këtë vonesë të papranueshme në diplomimin e studentëve.

“Gjithashtu, bëhet me dije se nga ana e Rektorit të Universitetit të Tiranës janë nënshkruar disa nga diplomat, që numrat e matrikullimit të studentëve janë lëshuar me të njëjtën procedurë sikurse ajo e kundërshtuar nga Rektori i UT, i cili është një veprim selektiv dhe në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi”, vijon Njoftimi për shtyp i MARS .

MASR kërkon pajisjen e studentëve që kanë shlyer të gjitha detyrimet akademike me diplomat përkatëse, menjëherë.

ATSH