Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar për bisedimet në takimet që ai dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, zhvilluan këtë të martë në Prishtinë.

Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, kanë mbërritur të hënën në Kosovë, ku janë pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.

“Sot në mëngjes me Presidenten diskutuam për situatën në veri të Kosovës. Ne theksuam rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike që mundëson de-përshkallëzimin e menjëhershëm dhe kthimin në normalizim”, shkruan Lajçak në Twitter.

Lajçak dhe Escobar kanë zhvilluar takim edhe me partitë opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Sipas diplomatit sllovak, atyre u është kërkuar të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet në veri.

“Escobar, ambasadori amerikan në Kosovë dhe unë u shpjeguam partive opozitare shqiptare në Kosovë pasojat e krizës aktuale dhe dëmtimin e reputacionit ndërkombëtar të Kosovës. Ne u kërkuam atyre të mbështesin një zgjidhje politike për të zbutur tensionet”, ka shkruar ai.

Ndërsa Listës Serbë u ka theksuar nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja në katër komunat veriore.

Asnjë zgjidhje politike për uljen e tensioneve në veri të Kosovës nuk mund të arrihet pa popullatën e prekur. Me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe shoqërisë civile, ne theksuam nevojën që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”, është shprehur ai pas takimit me Listën Serbe.

Në takimin e mbrëmshëm me kryeministrin Kurti, emisarët i kanë paraqitur atij propozimin me tri elemente. I pari është de-eskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.

Pas takimit, të dy deklaruan se faktori ndërkombëtar është unik në këto kërkesa dhe shpresojnë se të njëjtat do të dëgjohen.