ATSH/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë kryer 461 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin edhe si pjesë e taskforcës antiCovid.
AKU bën të ditur se, gjatë inspektimeve janë dhënë gjashtë masa me paralajmërim, për mungesë të rinovimit të analizave të ujit, mungesë të planit 3D dhe mungesë librezash shëndetësore.
Me kërkesë të vetë subjektit është bërë asgjësimi i një sasie prej 2.4 tonë produktesh ushqimore dhe 2.6 tonë produkte ushqimore të lëngëta.
Referuar planit të marrjes së mostrave janë 39 mostra në monitorim të qumështit, por edhe në analizim të fruta-perimeve për mbetje pesticide
Taskforca antiCovid, pjesë e rëndësishme e së cilës është edhe AKU, ka vijuar monitorimet në të gjitha bizneset në zbatim të protokolleve anticovid, si dhe në këshillim dhe ndërgjegjësim të qytetarëve për mbajtje të maskës së detyruar, në mbrojtje të vetes dhe të tjerëve nga shpërndarja e virusit.
AKU është e pranishme në terren në garantim të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.