ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vijon zbatimin e procesit të fshirjes automatike të detyrimeve tatimore për subjektet përfituese, në zbatim të Ligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore”.

Sipas administratës tatimore, deri tani janë fshirë ose shuar detyrime në vlerën 313 milionë euro për 121 630 tatimpagues, ndërsa procesi do të vijojë për të gjithë përfituesit që plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj.

Ligji parashikon lehtësime për detyrimet tatimore të papaguara ndaj administratës tatimore qendrore e vendore, si dhe për detyrime të caktuara të pagueshme në doganë, me qëllim pastrimin e llogarive tatimore dhe lehtësimin e barrës për subjektet përfituese.

Administrata Tatimore bën të ditur se zbatimi i skemës po vijon sipas procedurave të përcaktuara, ndërsa tatimpaguesit po vijojnë të njoftohen përmes kanaleve elektronike të administratës.

/e.xh/j.p/r.e/