Të dalë të papunë si pasojë e pandemisë/ Miratohen procedurat dhe kriteret për programin e nxitjes së punësimit

0
3

/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e procedurave, kritereve dhe rregullave për zbatimin e programit të nxitjes së punësimit të personave të dalë të papunë si pasojë e COVID-19.

Programi zbatohet në përputhje me nevojat individuale të punëkërkuesit të papunë për t’u integruar në tregun e punës dhe me planin individual për punësimin e tij.

Punëkërkuesit me të drejtë përfitimi janë të gjithë punëkërkuesit e papunë që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID-19, të evidentuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe të regjistruar në zyrën e punës.

Një punëkërkues mund të marrë pjesë vetëm një herë në këtë program. Punëdhënësit me të drejtë kërkese duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme: të jenë shoqëri tregtare të regjistruara; të jenë subjekt i pagimit të taksave dhe të jenë të regjistruar si punëdhënës pranë autoriteteve tatimore; të mos kenë shkelur legjislacionin për punësimin në dy vitet e fundit përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi; të ofrojnë punë me kohë të plotë, për një minimum prej 40 (dyzet) orësh në javë, me një pagesë mujore jo më pak se paga minimale, në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës; vendi i punës, i financuar nga ky program, duhet të vijë si rezultat i rritjes së fuqisë punëtore në aktivitetin e punëdhënësit; të jenë shoqëri tregtare, të cilat nuk kanë detyrime ndaj organeve tatimore para datës 10 mars, në bazë të akteve normative në fuqi ose, në momentin e kërkesës për këtë program.

Programi i punësimit është një program 4, 8 ose 12-mujor punësimi, në të cilin profili dhe nevojat e punëkërkuesit përshtaten me vendin e lirë nga punëdhënësi.

Paga përcaktohet në kontratën e punës, në përputhje me pozicionin përkatës dhe nivelin e pagave në treg. Programi subvencionon kostot e mëposhtme: Për programin e punësimit katërmujor: Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 2 (dy) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë dhe të katërt të kontratës; Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Për programin e punësimit tetëmujor: Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuara në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës; Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuara çdo muaj.

Për programin e punësimit 12 (dymbëdhjetë) mujor subvencionon kostot e financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100%, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuara çdo muaj.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”. /k.s/j.p/r.e/