Pas provimit të parë të gjuhës së huaj, maturantët do të testohen për njohuritë e gjuhës shqipe dhe letërsisë, të hënën e 10 qershorit

Shezai Rrokaj, përgjegjës departamenti i gjuhësisë, FHF tha: “Një provim shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me gjuhën amtare”.

Mësuesit e gjuhës shqipe dhe letërsisë të përzgjedhur nga Qendra e Shërbimeve Arsimore si hartuesit e tezave janë ngujuar në mjediset e institucionit për të shmangur publikimin e pyetjeve para datës së provimit. Teksa maturantët po përgatiten me modelet e testeve, të cilat strukturohen me 20 pyetje me zgjedhje, 12 me shtjellim si dhe eseja. Për përgjegjësin e departamentit të gjuhësisë në Fakultetin e filologjisë Shezai Rrokajn vlen që të rritet pesha e esesë në provim

“Thjesht pyetjet quiz apo si quhen ndryshe me alternativa, tregojnë diçka por jo gjithçka. Ajo që ka më shumë rëndësi në gjuhë dhe letërsi nuk duhet cënuar për hir të një formaliteti, ai që është procesi mendor. Aftësinë që ka maturanti për të gjykuar, për të menduar, për të shprehur mendimin, për të mos u bërë thjesht një automat I përgjigjeve sic shpesh shikohet në aftësimin në shkollë”, u shpreh Rrokaj.

Një kritikë profesori Rrokaj e ka edhe për korrigjuesit e testit të gjuhë-letërsisë, që të mos mbivlerësojnë “të mësuarin përmendësh”. Përveç gabimeve drejtshkrimore, shtjellimit të idesë… sipas tij, në pyetjet me zhvillim duhet vlerësuar e nxitur kreativiteti dhe argumenti.

“Në letërsi nuk vlerësohesh nga fakti që të gjithë të kenë një përgjigje standard, por më shumë se sa kaq  aftësia për të pasur një përgjigje tënden të argumentuar. Pra nuk është cështja të jemi apo sjemi të gjithë dakord me një lloj formulimi. Por te aftësia sa ai formulim apo interpretim që bën cdo maturant qëndron në vetvete. Kjo është shkolla që duhet të edukojmë, jo t’I mësojmë të gjithë të përgjigjen sipas një modeli. Sigurisht që ka një parim të përgjithshëm që maturanti t’I përmbahet, por të vlerësohet mënyra si e zbërthen!”, shtoi profesori.

Top Channel