Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se  “nuk kam qenë asnjëherë me një bindje tjetër për shembjen e Teatrit prej 20 vitesh. Shembja e Teatrit Kombëtar është temë e ezauruar për mua personalisht është një temë e cila ka shumë vite, 20 vjet qëndrimi im është i njohur prej 20 vitesh dhe nuk besoj të ketë pasur proces më të gjatë në historinë e këtij vendi në distancë apo nga afër  lidhur me këtë temë”.

Në një intervistë televizive, Kryeministri Rama tha se “besoj se ky është një atribut ekskluziv i pushtetit ekzekutiv në qeveri dhe në bashki dhe kthimi i një teme me karakter urbanistik dhe zhvillimor në një të temë politike tregon shterpësi dhe asgjë tjetër”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk ka asnjë patate të nxehtë ka vetëm një proces që zhvillohet sipas ligjit natyrshmërisë së ndarjes së punëve dhe bashkia e Tiranës në të njëjtën kohë është edhe agjencia që do të ekzekutojë të gjithë projektin”.

I pyetur nëse i ka dhënë urdhër bashkisë të prishë Teatrin, Rama u përgjigj se “jo ne nuk i kemi thënë merre prishe ne i kemi thënë merre ndërtoje, ajo që mendoj se është rëndë se vija e zjarrit sot në Shqipëri prej jo pak kohësh është në spital dhe lufta sot në Shqipëri jo prej pak kohesh është lufta për të mbrojtur shëndetin, për të garantuar edhe këtë fazë të dytë që është hapja graduale që do të thotë një thirrje e tillë për të marrë në qafë njerëz për të bërë gjeste patetike,  që nuk kanë asnjë lidhje me asnjë proces ligjor dhe me asnjë proces demokratik dhe me asnjë proces kundërshtie të natyrshme është papërgjegjshmëri”.

Atsh