Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar për tensionet në Kosovë, duke theksuar se nuk i shërbejnë objektivit strategjik të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.
“Askush nuk është i kënaqur me sjelljen dhe situatën që si shërben stabilitetit të rajonit. Aq më tepër kur rajoni është në rrugën e integrimit. Të gjithë ne prisnim vijimin e negociatave për vijimin e asaj marrëveshje, që u dakortësua në Bruskel, dhe anekseve të diskutuara në takimin e Ohrit…Kemi ardhur në një përkeqësim të situatës, nga keqpërdorimi i komuniteti serbë veri të vendit dhe po ashtu nga përdorimi i dhunës ndaj gazetarëve, policisë së Kosovës dhe qytetarëve nga grupe kriminale në veri”, theksoi Begaj gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e Estonisë, Alar Karis.
Sipas tij, situata kërkon një zgjidhje që duhet të vijë nga zyrtarët më të lartë të Prishtinës dhe Beogradit.
“Kjo sjell pasoja, si për rajonin, si për komunitetin ndërkombëtarë, që ka një sforcim të energjive për situatën në Kosovë. Situata kërkon një zgjidhje, që do duhet të merret në konsideratë nga drejtuesit dhe nga të dy aktorët kryesor”, tha Begaj.
Duke për folur për “Ballkanin e Hapur”, Begaj tha se nisma ka synime politike dhe është e mirëpritur nëse i shërben popujve tanë.
“Për sa u takon nismave rajonale, çdo nisëm është pozitive. Është e domosdoshme dhe e rëndësishme, jo se e them unë, por është thënë edhe nga partnerët tanë. Përfitime nga nismat e tilla janë të prekshme. Po ju përmend procesin e Berlinit, ku përfitimi është real. Për sa i përket Ballkanit të Hapur, është një iniciativë e konceptuar vetëm ekonomike, që do të sillte përfitime përmes shkëmbimi të mallrave, njerëzve…etj. Nëse është gjithëpërfshirëse dhe mbetet vetëm në kuadrin ekonomik, dhe sjell përfitime për popullatën në Shqipëri dhe Kosovë, për mua është e mirëseardhur. Objektivi ynë strategjik është integrimi në BE, nëse ne si rajon s’komunikojmë me njëri tjetrin, si do komunikojmë me të gjithë komunitetin evropianë”,- tha Begaj.