Një nga llojet e skllavërisë bashkëkohore mendoj se është, ”Qënia e njeriut skllav dhe peng i mendimit apo i të kaluarës të tij. Kjo, pa marrë parasyshë se a, arrin ai ta kuptojë apo jo këtë llojë skllavërie dhe pengmarrje të vetvetes së tij?!

Nëse do t’i bëjmë një analizë arsyeve dhe shkaqeve, do të vërejmë së vjen si shkak admirimi dhe pëlqimi i vetvetes. Ose me fjalë të tjera, rënia në “dashuri” me vetëveten përtej limiteve! Mirëpo rreziku më i madh i këtij skllavërimi nuk gjendet vetëm në këtë përjetim. Kjo ndodh, kur njeriu nuk pranon këshillën, kritikën dhe as gabimin. Për pasojë, ai, me dije apo pa dije, ka arritur deri gradën e adhurimit të vetvetes së tij! Megjithatë ky lloj rreziku nuk është ai më i keqi.

Ekziston një rrezik tjetër shumë herë më i madh.

Ai është ”Shikimi vetëvetes si i pagabueshëm në mendime apo qëndrime dhe nënvlerësimi i të tjerëve. Pikërisht prej kësaj rrjedh teprimi dhe ekstremi edhe në fe, familje, shoqëri dhe në jetë. Nuk ka dyshim që kjo mënyrë ekstreme në sjelljen me vetveten, vjen si rezultat i vlerësimit të qënies njerëzore, më të madhe, sesa ai është e peshon në realitet. Pa dyshim një sjellje e tillë të çon në pëlqim të vetëvetes. Madje deri në marrjen e saj dhe për Zot. Por në këtë rast nëpërmjet arrogancës dhe kokëfortësisë së tij! Është me rëndësi të dimë se ndryshimi i mendimit rreth një çështjeje ose pranimi i gabimit nuk është defekt ose ulje për të diturin. Apo zhvlerësim i dijes dhe pozitës e gradës së tij në shoqëri. Përkundrazi, pranimi i gabimit është një provë e shkëlqyeshme e sinqeritetit të tij.

Sipas Profetit Muhamed, “Të gjithë bijtë e Ademit janë gabimtarë (mëkatarë), dhe gabimtarët më të mirë janë ata që pendohen”. [Trans Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh]. Ai gjithashtu ka thënë: “Nëse sundimtari (dijetari) përpiqet dhe e arrin të vërtetën (në gjykimin dhe trajtimin e një çështje), atëherë ai ka dy shpërblime. Dhe nëse gabon, atëherë ai do të ketë një shpërblim.” [Trans Muslimi]. Bëjmë mirë, të jemi modestë e të thjeshtë në jetën dhe marrëdhëniet tona me njerëzit. Të njohim vetvetet e të mësohemi të pranojmë gabimet tona. Është shumë e natyrshme që njeriu të ndryshojë mendjen dhe qëndrimin e tij feta. Kjo, si rrjedhojë e pjekurisë dhe rritjes në moshë, përvojës dhe përparimit. Ose njohjes me realitetin dhe zakoneve të vendit ku jeton, pasi ky është ligji i Zotit në krijimin e tij. Kushdo që thotë apo mendon ndryshe, nuk ka arritur të kuptojë se mbi çdo të ditur ka edhe më të ditur. Thotë Allahu i Madhëruar:”Atë që duam, ne e lartësojmë në dituri, e mbi secilin të dijshëm ka edhe më të dijshëm”. [Surja Jusuf: 76].

Asnjëherë mos të pengojë ty opinioni i njerëzve apo pasuesve, që të thuash të vërtetën nëse të shfaqet ty, përderisa je i bindur në të, pasi kënaqësia e njerëzve kurr nuk arrihet. Sipas Profetit, “Thuaj të vërtetën, edhe nëse është e hidhur”. [Trans Ahmedi dhe Ibn Hibani].

Dr. Klodjan Zaimaj Pedagog ne universitetin Doha Katar

Elbasaninews.tv