ATSH/ Trendi pozitiv i rritjes së sektorit të bujqësisë, falë politikave të qeverisë, ka vijuar edhe në vitin 2019.
Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi sot se prodhimi i perimeve u rrit me 7.8% gjatë vitit 2019 duke arritur 1.258,012 tonë.
Sipas INSTAT, prodhimi i drithërave në vitin 2019 llogaritet 666.064 tonë. Niveli më i lartë i prodhimit të drithërave u arrit në qarkun e Fierit me 171.480 tonë, pasuar nga qarqet Elbasan me 97.454 tonë dhe Korçë me 73.776 tonë.
Bujqësia është sektori që kontribuon më shumë në GDP-në e Shqipërisë me mbi 20%. Bujqësia po orientohet dhe po mbështetet drejt produkteve me avantazhe konkurruese dhe krahasuese me plotësimin e nevojave të tregut të brendshëm dhe atë të eksportit, kryesisht me pemë frutore, perime, bimë medicinale etj.
Treguesi më domethënës i ecurisë pozitive është raporti import-eksport i produkteve bujqësore që kemi sot, i cili përgjatë vitit 2019 ka qenë rreth 1 me 3, pra 1 eksport dhe 3 import. Kjo është një zbritje historike, pasi asnjëherë nuk ka qenë në këtë raport gjatë 30 viteve të fundit.
Mbështetja financiare për sektorin bujqësor në vitin 2019 u rrit edhe falë programit të IPARD –it me një total rreth 94 milionë euro në dispozicion nga të cilat 71 milionë euro ishin financim nga BE-ja dhe 23 milionë nga buxheti i shtetit./a.gjonaj//a.a/