Laboratori u prezantua në aktivitetin përmbyllës të projektit “Ngritja e Laboratorit të Analizimit të Vajit të Ullirit dhe Vajrave Vegjetale”, i realizuar në Fakultetin e Bioteknologjisë dhe Ushqimit me mbështetjen financiare të Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI).
Në aktivitet mori pjesë rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku, së bashku me drejtues akademikë, pedagogë, studiues dhe studentë, të cilët u njohën me rezultatet e projektit të zbatuar gjatë viteve 2024–2026 nën koordinimin e Prof. Dr. Kapllan Sulajt.
Laboratori i ri është pajisur me instrumente bashkëkohore që mundësojnë kryerjen e analizave të avancuara fiziko-kimike të vajit të ullirit dhe vajrave të tjerë vegjetalë, duke krijuar standarde më të larta në kontrollin dhe vlerësimin e cilësisë së këtyre produkteve.
Kjo infrastrukturë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e projekteve kërkimore, realizimin e studimeve të nivelit master dhe doktoraturë, si dhe për ofrimin e shërbimeve laboratorike për bizneset dhe industrinë agroushqimore.
Drejtuesit e universitetit vlerësuan se ngritja e këtij laboratori përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës kërkimore të UBT-së dhe në forcimin e lidhjeve mes universitetit, sektorit privat dhe institucioneve të specializuara.
Ky investim pritet të japë një kontribut të drejtpërdrejtë edhe në kontrollin dhe certifikimin e cilësisë së vajit të ullirit, një nga produktet më të rëndësishme të bujqësisë shqiptare dhe me potencial të lartë për tregjet vendase dhe ato ndërkombëtare.
/e.xh/j.p/



























