Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj foli sot lidhur me aplikimin e tatimit kumulativ për të dypunësuarit, teksa bëri të ditur një udhëzim të ri me rregulla të reja për personat fizikë në mënyrë që të mos shmangin detyrimet fiskale.

“Ne kemi filluar të punojmë edhe për një udhëzim, i cili do të ketë disa kushte më shumë për ata që do të kenë Nipt-e. Nuk mund të ndodhi që një doktor në një spital punon dhe merr një rrogë dhe pastaj shkon dhe hap një Nipt për të punuar në një spital tjetër. Por dua të tregoj që këto janë pjesë e një punësimi të plotë dhe jo e një personi fizik më vete sepse duhet të ketë klinikën e tij personale. Ne po bëjmë edhe udhëzime të cilat do të jenë pjesë e zbatimit në vitin që vjen në mënyrë që të gjitha këto fenomene që kanë ndodhur në çdo vend të botës dhe që ndodhin zakonisht për të parë të çarën në sistem të jenë sa më të kufizuar dhe administrate të punojë dhe të ndërgjegjësojë të gjithë personat”, u shpreh Denaj gjatë një interviste në medie.

Më tej, Denaj shtoi se administrata tatimore do të jetë në gatishmëri për të zbuluar pikërisht ato raste të cilat shfrytëzojnë hapësirat e ligjit për të mos paguar vlerën e plotë të tatimit të të ardhurave personale.

“Koha mund të mos ketë qenë e mjaftueshme sepse është edhe një aplikim për herë të parë dhe për këtë jemi mirëkuptues, nuk do të ketë aplikacion të gjobave. Dua ta them këtë sepse kam pasur dhe unë pyetje që pas datës 10 prill si do ia bëjmë. Nuk do të ketë gjoba, kjo nuk bëhet për të vendosur gjoba, kjo bëhet për të vendosur një parim bazë në shinat e zbatimit të plotë për të gjithë”, ka thënë Denaj.