/ATSH/ Programi i vaksinimit kundër gripit ka nisur të zbatohet tek personeli shëndetësor si pjesë e planit të vjeshtë-dimrit të autoriteteve shëndetësore për të minimizuar riskun nga komplikacionet që vijnë nga gripi stinor, sidomos në situatën e pandemisë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se po vijon vaksinimi i mjekëve dhe infermierëve, në mënyrë që të mos infektohen nga virozat që qarkullojnë paralelisht me COVID-19.

“Po vijon vaksinimi i asetit tonë më të çmuar ndaj gripit, një masë parandaluese që mjekët dhe infermierët të mos infektohen nga virozat që qarkullojnë paralelisht me COVID-19. Këtë vit siguruam më shpejtë në kohë edhe pse në një situatë të vështirë 368 mijë vaksina kundër gripit falas për grupet e rrezikuara’’, informojnë specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Brenda 3-4 ditëve do të vaksinohet i gjithë personeli shëndetësor dhe më pas nis shpërndarja tjetër për grupet e tjera të riskut.

368 mijë doza vaksinash, sasia e parë e të cilave ka nisur të shpërndahet në qendrat shëndetësore, me qëllim vaksinimin e kategorive të riskut, ka nisur nga personeli shëndetësor, duke vijuar me mësuesit, edukatorët, duke vazhduar me të sëmurët kronikë, me ata mbi 65-vjeç, fëmijët. z.tosku//a.a/