ATSH/- Në Hidrocentralin e Fierzës, vijon pa ndërprerje puna për rehabilitimin e portave të shkarkimit, duke përmbushur një nga objektivat kryesorë strategjikë dhe teknikë për mirëmbajtjen e kësaj vepre hidrike.

Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bën të ditur, se ky proces është tepër i vështirë dhe kompleks.

Ky proces kryhet për herë të parë që nga ndërtimi dhe vënia në punë e Hidrocentralit të Fierzës, njofton KESH.

Investimi synon rritjen e rritjen e sigurisë dhe mirëmbajtjes së Hidrocentralit të Fierzës që është një nga veprat më të rëndësishme në sistemin elektroenergjetik të vendit.

Viteve të fundit KESH ka realizuar investime të konsiderueshme në hidrocentralin më të madh në vend, atë të Fierzës. Investimet janë fokusuar në  rritjen e eficiencës së prodhimit përmes blerjes së pajisjeve dhe vendosjes së sistemeve që mundësojnë optimizimin e prodhimit.

Në HEC Fierzë janë instaluar 4 agregate me turbina Frencis me fuqi 125 MW për çdo njësi dhe fuqi totale të instaluar 500 MW. Prodhimi vjetor i projektuar i HEC Fierzës është 1800 GWh. /j.p/