ATSH/ Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi në një intervistë televizive me “Report tv” tha sot se të gjitha shkollat, shtetërore ose private, në fshat apo në qytet në vendin tonë, do t’i nënshtrohen të njëjtit udhëzues të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për hapjen e vitit të ri shkollor.
Sipas Dervishit, ky udhëzues është i zbatueshëm në masën 100% ku sipas saj janë ndjekur rekomandimet e OBSH-së dhe ato të qendrës Europiane të Kontrollit të sëmundjeve.
“Sigurisht ne kemi ndjekur rekomandimet e OBSH dhe të qendrës Europiane të Kontrollit të sëmundjeve për këtë udhëzues. Edhe gjatë fundvitit shkollor 2019-2020 ne patëm një udhëzues që u përshtat për maturat dhe pak a shumë ishim të përgatitur, por në këtë rast është punuar më tej për të krijuar një udhëzues për vitin shkollor 2020-2021. Është puna e ekspertëve tanë që kanë punuar për hartimin e këtij udhëzuesi. E dimë që te klasat e shkollat 9-vjeçare dhe të mesme është i lartë, por nëse do të punohet me turne, që do të përcaktojnë një grafik të caktuar apo përshtatjen e të gjitha ambienteve për t’i vënë në dispozicion ambiente ku do të zhvillohet mësimi”, u shpreh Dervishi.
Ekspertja e ISHP-së thotë ndër të tjera se maska duhet të mbahet edhe në furgonin e shkollës.
“Për shkollat do të kërkohet që të ruhet distanca dhe më pas edhe gjatë orëve të mësimit do të respektohet, 1.5 m nga njëri- tjetri, metoda klasike e të ulurit të nxënësit, pas njëri- pas tjetrit. Këto element duhet të respektohen dhe këtu kemi të qartë që të respektohet kjo distancë duhet të ketë një numër të caktuar nxënësish në klasë dhe kjo do të bëhet me turne. Do të shoqërohen në hyrje dhe dalje nga mësues. Rekomandohet përdorimi i maskës edhe për ciklin e ulët, ndryshe nga cikli i lartë apo parauniveristar që do e kenë përdorimin e maskës gjatë gjithë mësimit. Mund të ketë fëmijë me sëmundje kronike apo sëmundje të tjera, do të vlerësohen nga mjekët në lidhje me përdorimin e maskës. Maska duhen mbajtur gjatë gjithë kohësh kur fëmijët të jenë në furgonin e shkollës dhe ka një rregullore dhe për transportin dhe kjo duhet të zbatohet. Jemi në një situatë të re”, u shpreh ajo.
Dervishi sqaron se një rol të rëndësishëm, krahas shkollave, do të luajnë prindërit, por edhe mjekët e familjet, të cilët duhet të ruajnë kontaktet të vazhdueshme online, për shkak se fëmijët nuk paraqesin simptoma agresive, por janë transmetues të virusit.
“Ka pasur diskutime me ministrinë e Arsimit dhe është konkluduar që të jenë këto rekomandime që përmban ky udhëzues që do të zbatohet me mbështetjen e strukturave arsimore. Mësimi me turne, më pak nxënës në klasa, zvogëlim të orëve të mësimit, do të sillnin që ky udhëzues të zbatohet dhe të ruhet distanca. Përpjekja do të jetë maksimale për ta zbatuar dhe në këtë mënyrë të frenojmë përhapjen e infeksionit COVID. Nuk është e lehtë, aq më tepër kur flitet për fëmijët e ciklit të ulët por mendoj që është i mundshëm zbatimi i këtij udhëzuesi, do të ketë një angazhim të stafit arsimor, mësues, psikologë. Mjeku i familjes është në kontakt me të gjithë komunitetin, dhe të gjithë së bashku do të bëjmë të mundur që të zbatohet ky udhëzues”, tha Dervishi.
Ekspertja ndau edhe një mesazh për prindërit që të bashkëpunojnë për zbatimin e këtij udhëzimi.
“Nuk ka arsye për të pasur frikë, nisur edhe nga fakti se situata e fëmijëve ka qenë më pak të prekur, fëmijët e kanë kaluar lehtësisht, por mund ta transmetojnë këtë infeksion prandaj është e rëndësishme që të angazhohemi të gjithë këtë udhëzues”, tha ndër të tjera Dervishi. ztosku/j.p/