Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit ditën e sotme në shkollën “Kosova”, bashkë me bashkëshorten e tij, për të votuar për zgjedhjet e 25 prillit. Por ai ka pasur problem me lexuesin e shenjave të gishtave, pasi kjo pajisje nuk e ka identifikuar dot ish-kryeministrit Berisha.
Megjithatë është kaluar ky moment, ku pasi hodhi votën në kutinë e votimit dhe përshëndeti me dy gishtat lart, Sali Berisha u shpreh i bindur se opozita po shkon drejt fitores.
“Fitorja ka fytyrën dhe bukurinë e kësaj dite të bekuar Ftoj me këtë rast çdo qytetar të këtij vendi të firmosë ditën e sotme, një fitore madhështore për Shqipërinë dhe shqiptarët, të votojë për sakrificat e tij, për familjen, fëmijët, nipërit, mbesat, për emigrantët shqiptarë që një regjim në largim i bllokoi, u shpiku karantinën si një mjet politik për të mos lejuar votimin e tyre.
Të votojnë për të gjithë ata të cilët i thonë lirisë liri dhe Shqipërisë Shqipëri. Deri tani votimi po ecën i sigurt drejt fitores me gjithë përpjekjet, e përpëlitjet anti-ligjore, të pamoralë, fitorja po bëhet çdo sekondë dhe minutë më e madhe, më e bukur dhe më e fuqishme” tha ai.