ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka theksoi sot se “qëndrimi ynë dhe angazhimi ynë në fakt ka qenë shumë koherent. Në cilësinë e vendit anëtar të NATO-s kemi qenë thellësisht të angazhuar së bashku me vendet e tjera aleate dhe partnere për trajtimin me përparësi të situatës së tensionuar në Ukrainë dhe përreth Ukrainës”.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ministrja Xhaçka tha se “qëndrimet tona në fakt kanë qenë publike dhe janë shprehur qartë edhe në OKB, edhe në takimet e nivelit të lartë të muajit janar në NATO, që kishin në fokus pozicionimin e trupave ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës”.

Shqipëria, vijoi Xhaçka, kemi nënvizuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë strategjike të unitetit dhe të kohezionit mes vendeve të NATO-s përballë një sfide ndaj sigurisë evropiane dhe kemi mbështetur fuqimisht parimet dhe vlerat mbi të cilat është ngritur NATO, por edhe angazhimet e përbashkëta të aleancës.

“Lidhur me Ukrainën, qëndrimet tona kanë qenë në mbështetje të ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, duke nënvizuar të drejtën sovrane të çdo kombi për të zgjedhur rrugën e tij dhe për të vendosur për të ardhmen e tij, duke theksuar në të njëjtën kohë një të vërtetë që nuk duhet harruar në asnjë moment gjatë kësaj situate, që NATO është një aleancë mbrojtëse, misioni i të cilës është të garantojë sigurinë kolektive të vendeve anëtare. NATO nuk kërcënon as Rusinë dhe asnjë vend tjetër prandaj dua ta nënvizoj atë që tha kryeministri, që qëndrimi ynë ka qenë për uljen e tensioneve dhe angazhimin në rrugën e diplomacisë dhe qëndrimi ynë ka qenë publik, ka qenë koherent, qoftë në NATO, qoftë në OSBE ku Shqipëria i është bashkuar qëndrimit të Bashkimit Evropian sa i takon sigurisë evropiane dhe konceptit se ajo është e pandashme dhe se çdo sfidë ndaj saj i prek të gjitha vendet evropiane”, nënvizoi Xhaçka.

Ndaj në linjë me BE, shtoi Xhaçka, Shqipëria ka dënuar pa asnjë hezitim veprimet e vazhdueshme agresive të Rusisë, i ka bërë thirrje Rusisë, bashkë me vendet evropiane dhe vendet partnere në NATO që të veprojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar e të përfshihet në dialog konstruktiv përmes mekanizmave ndërkombëtar.

“Po ashtu i jemi bashkuar dhe kryesisë polake të OSBE-së, e cila ka risjellë në vëmendje nevojën për një ripërtëritje të dialogut në OSBE për sigurinë evropiane, një nisëm që do të sjellë një proces të ri fillimi diskutimesh politike dhe konsultimesh diplomatike, të cilat do të ndodhin në Vienë, në nivel përfaqësuesish të përhershëm por dhe në kryeqytetet e vendeve anëtare në baza periodike”, tha Xhaçka.

E pyetur se a ka shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në këto momente në Ukrainë, ministrja Xhaçka u shpreh se “vendi ynë ka pasur vazhdimisht të sekonduar në misionin e posaçëm monitorues të OSBE-ë në Ukrainë disa profesionistë, përfshirë në nivele të larta drejtuese në zyrën qendrore të misionit në Kiev. Aktualisht në misionin e OSBE-së në Ukrainë punojnë 10 shqiptarë dhe misioni ynë në Vjenë mban kontakte të vazhdueshme me ta dhe ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta”.

/k.s/j.p/