Përplasje të dhunshme shpërthyen në qendër të Stambollit të hënën, pasi policia përdori plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë të zemëruar që protestonte kundër një karikature të publikuar nga revista satirike LeMan, e cila pretendohet se fyente profetin Muhamed.
Sipas mediave lokale, trazirat shpërthyen pasi Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit lëshoi urdhër arresti për drejtuesit e revistës, me akuzën se karikatura “kishte fyer publikisht vlerat fetare”.
Redaktori i përgjithshëm i LeMan, Tuncay Akgün, mohoi akuzat dhe tha se karikatura ishte keqinterpretuar. “Nuk ka asnjë përqeshje apo përfaqësim të profetit Muhamed në këtë vizatim,”u shpreh ai për agjencinë AFP. “Emri Muhamed, në këtë rast, i përket një personazhi imagjinar të vrarë gjatë bombardimeve izraelite. Mbi 200 milionë njerëz në botën islame quhen Muhamed.
Sapo lajmi mori dhenë, disa dhjetëra protestues sulmuan një lokal të njohur në Stamboll, i frekuentuar shpesh nga punonjës të revistës, duke nxitur përplasje me forcat e policisë. Sipas një korrespondenti të AFP, numri i protestuesve u rrit shpejt në 250–300 vetë, duke përshkallëzuar situatën.
Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, deklaroi në platformën X se karikaturisti dhe dizenjuesi grafik i LeMan janë arrestuar. “Personi me inicialet D.P., që realizoi këtë vizatim të ndyrë, është arrestuar dhe është në paraburgim. Këta individë pa turp do të japin llogari para drejtësisë,” tha ai.
Ndërkohë, LeMan publikoi një sërë postimesh në rrjetet sociale, ku mbron karikaturën, duke e cilësuar interpretimin e saj si “të qëllimshëm dhe provokues”. Revista tha se qëllimi i artistit ishte të shprehte dhimbjen dhe drejtësinë për popullin mysliman të shtypur, e jo të fyente vlerat fetare.
“Karikatura nuk përmban asnjë përshkrim të profetit. Duhet një qëllim i keq për ta interpretuar në atë mënyrë,” thuhej në deklaratën e revistës. “I kërkojmë ndjesë lexuesve tanë të sinqertë që janë ndikuar nga kjo provokim.”
Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunç, konfirmoi nisjen e një hetimi për “fyerje publike të vlerave fetare”, duke theksuar se “asnjë liri nuk përfshin të drejtën për të bërë objekt talljeje vlerat e shenjta”.
Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, u shpreh gjithashtu kundër revistës, duke thënë: “Nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë akteve të ulëta që synojnë të provokojnë popullin tonë duke sulmuar besimin.”
Revista LeMan, e themeluar në vitin 1991 dhe e njohur për satirën politike, ka qenë shpesh në qendër të polemikave, veçanërisht për mbështetjen ndaj revistës franceze Charlie Hebdo pas sulmit terrorist në vitin 2015. Tensionet e fundit pritet të thellojnë edhe më tej debatet mbi lirinë e shprehjes dhe kufijtë e saj në raport me ndjeshmëritë fetare në Turqi.
Top Channel