Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se, udhëheqësit e të dy komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë kanë lëshuar deklarata në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit.

“Në një shfaqje të jashtëzakonshme të mbështetjes për demokracinë në Shqipëri, udhëheqësit e të dy komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara te Amerikës, përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë kanë lëshuar deklarata (një dje dhe një sot) në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit”, tha Kim në një reagim.

“Miqtë e Shqipërisë në Uashington janë me ju ndërkohë që ju votoni!”, theksoi ambasadorja Kim.

Ambasadorja Kim shpërndau edhe deklaratën Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Sot, Përfaqësuesit Gregory W. Meeks dhe Michael McCaul, Kryetar dhe Anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës, lëshuan deklaratën e mëposhtme përpara zgjedhjeve të ardhshme kombëtare shqiptare: “Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet kombëtare në 25 Prill, ne i nxisim autoritetet shqiptare të sigurojnë që votuesit janë në gjendje të hedhin votat e tyre të lirë nga mitmarrja, frikësimi dhe dhuna. Ne gjithashtu presim që të gjithë udhëheqësit – ata që janë aktualisht në detyrë si dhe ata që shpresojnë të zgjidhen – të veprojnë në përputhje me normat demokratike edhe kur bëjnë fushatë të fuqishme. Miqtë e Shqipërisë në Amerikë mbeten të përkushtuar për të mbështetur një të ardhme demokratike dhe të prosperuar për popullin shqiptar”, thuhet në deklaratën e Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.