ATSH/ Banorët e zonave të prekura nga zjarri në Krujë kanë shprehur mirënjohje për forcat zjarrfikëse, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile, për ndërhyrjen gjatë situatës së krijuar nga flakët.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama publikoi dëshmi të banorëve të Krujës, të cilët flasin për situatën e vështirë të përjetuar gjatë natës dhe për ndërhyrjen e forcave të angazhuara në terren.

Një prej banorëve tha se zjarri rrezikoi banesën dhe lagjen e tij, duke vlerësuar ndërhyrjen e strukturave shtetërore për evakuimin dhe mbrojtjen e banorëve.

“Këtu ka qenë shteti mbrëmë në këmbë, duke filluar nga ministri i Brendshëm te Hita, gjithë punonjësit e Policisë. Nëse nuk do ishin ata, shtëpia ime ishte djegur. Jua bëftë Zoti hallall atyre zjarrfikësve, policisë, emergjencave, të gjithëve! Mbrëmë kemi dëgjuar erë shteti”, u shpreh ai.

Një tjetër banor e cilësoi situatën si një prej momenteve më të vështira të përjetuara, duke falënderuar forcat zjarrfikëse, ushtrinë dhe Emergjencat Civile për gatishmërinë dhe ndërhyrjen.

Banorët vlerësuan gjithashtu punën e helikopterëve që ndërhynë për disa orë në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakëve.

“Helikopterët kanë punuar katër orë pa pushim për të fikur zjarrin. Nuk e besoj akoma që e kam shtëpinë gjallë. Këtu ka qenë një tmerr i vërtetë”, tha një tjetër banor.

Një tjetër dëshmi vlerëson ndërhyrjen e strukturave shtetërore për mbrojtjen e banesave, duke e cilësuar punën e forcave në terren si heroike.

“Falënderoj ministrin e Brendshëm, forcat e policisë, zjarrfikësit. Është bërë një punë heroike”, u shpreh banori.

Ndërsa një tjetër banor theksoi se situata ishte veçanërisht e rrezikshme për shkak të përmasave të zjarrit, por ndërhyrja e strukturave të Policisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave ajrore bënë të mundur, sipas tij, shmangien e viktimave dhe dëmeve në banesa.

“Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë Qeverinë për masat që mori që ne sot jemi gjallë, që banesa është e paprekur dhe objekti ku jetoj unë është i paprekur”, tha ai.

Banorët shprehën mirënjohjen për të gjitha strukturat e angazhuara në operacion, ndërsa situata në zonat e prekura po monitorohet për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit.

/e.i/r.e/