Shkolla e Drejtorëve do të nisë programin 9-mujor të trajnimit të detyrueshëm përgatitor për brezin e 2-të të aplikantëve për drejtorë në detyrë dhe aspirantë për drejtues shkolle.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi bëri të ditur se 217 drejtues aktualë dhe aspirantë nga qytetet si Tirana, Durrësi dhe Elbasani, gati 5 herë më shumë se pjesëmarrësit në brezin e parë, do t’i nënshtrohen trajnimeve intensive nga ekspertë vendas e të huaj me qëllim zhvillimin e kapaciteteve të tyre profesionale dhe menaxheriale.

“Programi në fjalë, i mbështetur tek një prej modeleve më të mira ndërkombëtare, nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm të drejtuesve dhe aspirantëve për drejtues shkollash, jo vetëm rrit eficiencën e drejtimit të institucioneve shkollore në një kohë të pazakontë kur pandemia ka mbërthyer gjithë globin, por njëkohësisht është një udhërrëfyes shumë i mirë në plan afatgjatë për politikat e gjithë përfshirjes dhe zhvillimin e mëtejshëm të reformave e prioriteteve që MASR ka”, tha ministrja.

Falë mbështetjes edhe të këtij projekti, Vijoi Kushi, AADF, dëshmon edhe njëherë se është një prej partnerëve më të rëndësishëm të Ministrisë së Arsimit për një sërë projektesh me vlerë në fushën e arsimit.

Shkolla do të nisë më 16 tetor.