Mjekët e familjes japin alarmin se moshat aktive për punë 30-40-vjeç po neglizhojnë pasojat e Covid duke shpërfillur simptomat e tij siç është temperatura.

Mjekët thonë se virusi nuk kursen moshë nëse kapet vonë. Sipas tyre pasojat janë njësoj si tek moshat e treta, vështirësia në frymëmarrje apo më keq akoma, dëmtimi i organeve si pasojë e koagulimit të gjakut që haset më shpesh.

“Po vërehet gjithnjë e më shpesh se kryesisht moshat 30-40 vjeç paraqiten te mjeku kur virusi ka filluar të godasë organizmin. Ata raportojnë një temperaturë e moderuar 38 për disa ditë, këputje e lodhje, por justifikohen duke  ja vënë fajin kohës apo virozave në qarkullim. Ky është gabim i rëndë sepse lejon virusin të prekë organet kur fare mirë mund të nisësh mjekimin në kohë pa kaluar komplikacione”, thonë mjekët.

Rasti më i fundit është ai i një pacienti 34-vjeçar nga Korça i cili është shtruar në spitalin infektiv me komplikacione si pasojë e virusit Covid-19. Burimet zyrtare në QSUT thonë se i riu ka paraqitur vështirësi në frymëmarrje dhe rrezikon të futen në intubim.

Ndërsa po sot një rast tragjik u shënua në Tiranë ku ka humbur jetën një 43-vjeçar si pasojë e Covid.

Mjekët bëjnë apel që asnjë simptomë që lidhet me Covid nuk duhet neglizhuar. Temperatura, lodhje e trupit apo kolla janë disa nga sinjalet që jep organizmi në rast se preket nga virusi. Sipas mjekëve, virusi nuk kalon lehtë, me qetësues apo duke e shpërfillur sepse nga vetë natyra tinëzare e tij, pasojat e goditjes që I bën organizmit shfaqen disa ditë më vonë, atëherë kur nuk e pret.