Sipas raportimeve, qentë u rrëmbyen dhe u transportuan larg zonës së tyre, por arritën të arratisen nga një kamion në lëvizje. Prej aty nisi një rrugëtim i jashtëzakonshëm, ku ata përshkuan rrugë të panjohura, kaluan zona me trafik dhe fusha të hapura, duke qëndruar gjatë gjithë kohës së bashku si një grup i organizuar.

Historia filloi të qarkullojë më 16 mars, kur një kalimtar i filmoi teksa lëviznin në formacion përgjatë një rruge, duke habitur përdoruesit për koordinimin dhe disiplinën e tyre. Pamjet e tjera i tregojnë duke kaluar nëpër fusha, pa u shpërqendruar, edhe kur njerëzit përpiqeshin t’i ndalonin.

Sipas mediave lokale, grupi drejtohej nga një corgi, i cili herë pas here ndalonte për t’u siguruar që të gjithë ishin pranë. Në qendër të grupit mbahej një pastor gjerman i plagosur, i mbrojtur nga të tjerët – një detaj që preku veçanërisht publikun për ndjenjën e fortë të solidaritetit mes tyre. Në grup përfshiheshin gjithashtu një golden retriever, një labrador dhe një pekinez.

Pas disa ditësh udhëtimi, më 19 mars, të shtatë qentë arritën të kthehen në fshatin e tyre, ku u ribashkuan me pronarët. Vullnetarët dhe banorët kishin ndjekur lëvizjet e tyre gjatë gjithë kohës, duke ndihmuar në dokumentimin e kësaj historie të pazakontë.

Ngjarja ka rihapur diskutimet mbi fenomenin e vjedhjes së kafshëve në Kinë, i cili lidhet shpesh me tregtinë e mishit të qenit. Autoritetet e konsiderojnë këtë veprim vepër penale, e dënueshme me gjoba dhe burgim, por rastet vazhdojnë të raportohen.

Ndërkohë, në rrjetet sociale, historia ka marrë përmasa globale. Shumë përdorues kërkojnë që ajo të kthehet në një film animacioni, me sugjerime drejtuar studiove të mëdha si Disney apo Pixar. Corgi është shpallur tashmë “lideri” i rrëfimit, duke u kthyer në figurën më ikonike të kësaj aventure.