ATSH/ Në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama kishte të ftuar tre të rinj, Fabjola, Alba dhe Ervini, të cilët vinin sipas tij “nga bota e teknologjisë, kërkimit shkencor dhe zgjidhjeve që vijnë nga bota inovative për të adresuar një mënyrë të re të problemeve apo nevojave të kahershme”.
Fabjola, tha Rama ishte një vajzë të cilën ia prezantuan se “ka një çelës magjik për një material shumë të përdorur botërisht siç është betoni”.
Ajo tregoi se ka zhvilluar një teknologji për prodhimin e “betonit vetëshërues” duke përdorur mbetje industriale dhe baktere të posaçme. Fabjola, shpjegoi se projekti i saj synon të reduktojë ndotjen mjedisore dhe njëkohësisht të ulë kostot e mirëmbajtjes së infrastrukturës.
Sipas saj, teknologjia bazohet në përdorimin e një bakteri që aktivizohet në kontakt me lagështinë, duke prodhuar kalcium dhe duke mbyllur automatikisht çarjet në beton, çka e bën materialin “vetëshërues”.
Ajo shtoi se ideja është vlerësuar ndërkombëtarisht, duke fituar çmime në Finlandë dhe duke u renditur mes startup-eve më të mira në Gjermani, ndërsa është regjistruar edhe në Shqipëri me synimin për ta zhvilluar në vend këtë ide innovative.
Sipas Fabjolës, projekti mund të kalojë në fazë industriale me një investim rreth 400 mijë euro, duke kërkuar krijimin e një njësie të vogël prodhimi për testim dhe aplikim në terren.
“Siç e the jam entuziaste se mendojmë se përveç se kemi bërë një gjetje shumë të rëndësishme për lidhjen me betonin, por mbi të gjitha më e rëndësishmja është që po bëjmë pastrimin e ambientit. Janë disa mbetje të ndërmarrjeve industriale që thjesht qëndrojnë me vite në territore dhe thjesht dekantohen, rrinë aty dhe nuk bëhet asgjë me to dhe vetëm shkaktojnë ndotje të vazhdueshme. Dhe duke qenë se kam punuar për një kohë të gjatë në ndërmarrje industriale m’u dha mundësia e një masteri në Belgjikë.
“Bashkë me eksperiencën e shokëve të mi të klasës, një nga kolegët e mi që jemi dhe bashkëthemelues nga Gana, një vajzë nga Gana, kishte informacion në lidhje me bakteret dhe ne gjetëm një bakterie shumë të mirë që duronte në një material të vështirë siç janë mbetjet industriale. Ky material, gjatë krisjes së këtij betoni, kjo bakterie çahet dhe në prani të lagështirës krijon kalcium dhe mbush çarjet vetvetiu, domethënë ne kemi bërë një gjetje që është beton vetëshërues. Me kalimin e kohës, siç e dimë që degradon betoni, ky beton nuk do degradojë më, do shërohet vetë dhe ne nuk do kemi nevojë për mirëmbajtje, kostoja e së cilës dihet sa e lartë është. Ne morëm vendin e parë në Finlandë si ideja më inovative e 2025-s dhe në Gjermani kemi dalë ndër startupet më të mira europiane. Pas shumë takimesh, kam vendosur që këtë startup, duke qenë se jam shqiptare, ta sjell në vendin tim dhe është i regjistruar në Shqipëri. Ne jemi në fazë eksperimentale, e kemi dokumentuar dhe e kemi provuar që funksionon. Madje kemi video ku një mostër e kemi çarë në tre pjesë dhe mbas tre ditësh në ambient janë bërë një copë e vetme.
“Ne duam që kjo patentë të ngelet 100% e jona dhe ta sjellim në Shqipëri, duke qenë se këtu janë mundësitë pasi kemi ndërmarrjet industriale. Duhet një financim, i cili nuk është shumë i madh, rreth 400 000 euro. Baza e parë e lëndës së parë është falas (mbetjet industriale), e vetmja gjë që kushton është bakteria, por edhe ajo ka kosto të vogël. Duhen përzierësit dhe furrat që ky beton të piqet e të bëhet i gatshëm sipas kërkesave; duhet një ndërmarrje e vogël”, tha Fabjola.
“Jemi plotësisht në dispozicion për të zhvilluar më tej këtë gjë. Patjetër që do ta mbështes”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Nga ana tjetër Alba u shpreh se ka krijuar një platformë për kërkimin “Match for Recearsh”.
Sipas saj platforma “ka në fokus bërjen bashkë të akademisë dhe industrisë, profesionistëve, kërkuesve shkencorë, ekspertëve të tregut që të mund të përmbushin nevojat që kanë kompanitë shqiptare, institucionet publike, të cilat jam e sigurt se do të kenë nevojë për të aplikuar në grantet ndërkombëtare. Platformën e kam mbështetur Startup Albania Grand, ne kemi aplikuar në 2025-ën me grantin e vitit të kaluar dhe ka një vit që është ndërtuar platforma”.
Ndërkohë, Ervini, një tjetër sipërmarrës, prezantoi krijimin e tij, i cili ishte një sistem antibreshër dhe fotovoltaik për vreshtarinë, duke synuar automatizimin e mbrojtjes së kulturave bujqësore.
“Kjo është një projekt që ka lindur rreth gjashtë vite mbas testimit. Ka dhënë rezultatet e veta. E kemi të patentuar me nivel nacional, pra në Itali edhe në tërë botën. Kemi marrë certifikimet. Duam që shteti të na ndihmojë. Jam i kënaqur që dua të investoj në Shqipëri. Është system unik. Jemi në fazën e montimit pilot.
“Ky është një sistem antigrandine, pra e kundërbreshërit, kjo është një sistem automatizues që vihet sipër sipërvreshtave. Ky mbulon vreshtin. Ne kemi vendosur bashkë edhe panel fotovoltaik, që të ketë edhe energjinë të vet, si dhe çdo energji e prodhuar më shumë të jetë e shitur në rrjet. Ka rreth prodhim energjie të rreth 52.000 euro në vit. Ne kemi nevojë që të kemi mbështetje nga shteti jonë që të jetë mundësia që të hapim fabrikën”, tha ai.
/m.q/a.f/



























