ATSH/ Policia e Fierit arrestoi një 20-vjeçar i cili ndezi zjarr në tokën e tij në fshatin Drizë, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në territorin e disa fshatrave.

Policia bëri me dije se vuri në pranga shtetasin N.J, 20 vjeç, banues në Drizë.

Sipas policisë, ky shtetas dyshohet se, më 5 korrik në tokën në pronësi të babait të tij, ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe në fshatin Drizë dhe në fshatrat përreth, ku u shkaktuan dëme materiale.

Shërbimet e Policisë evakuuan 12 familje, banesat e të cilave u rrezikuan nga përhapja e flakëve.

Policia bëri me dije se falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë, shërbimeve zjarrfikëse, grupeve të Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS) – Njësia Fier, si dhe helikopterëve të Forcave të Armatosura, u bë e mundur shuarja e flakëve, pa pasoja për jetën e qytetarëve.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.

/m.q/j.p/