ATSH/- Një këshillë që është bërë virale në rrjetet sociale, pretendon se vendosja e një kubi akulli në pjesën e pasme të qafës, mund të qetësojë ankthin brenda pak minutash, sipas “Science Direct”.

Ekspertët thonë se ekspozimi i shkurtër ndaj të ftohtit, mund të ndihmojë përkohësisht disa persona të ndihen më të qetë.

Shpjegimi lidhet me nervin vagus, një nga nervat kryesorë të sistemit nervor parasimpatik, i cili ndihmon organizmin të kalojë në një gjendje qetësie.

Stimulimi i zonës së qafës me akull të ftohtë, mund të ndikojë përkohësisht në uljen e ritmit të zemrës dhe në zbutjen e reagimit të stresit, megjithëse efektet ndryshojnë nga një person te tjetri.

A ndihmon vërtet një kub akulli në qafë kundër ankthit? Ja çfarë thotë shkenca:

Një nga studimet më të cituara mbi këtë fenomen u botua në vitin 2023 në revistën shkencore “Journal of Clinical Medicine”.

Ai u krye nga studiues të Spitalit Universitar të Trajnimit dhe Kërkimit në Samsun dhe Universitetit Medeniyet të Stambollit, në Turqi.

Gjatë studimit, aplikimi i të ftohtit në zonën anësore të qafës, uli ritmin e zemrës dhe intensitetin e dhimbjes gjatë vendosjes së një kanjule intravenoze, duke sugjeruar se ftohja mund të aktivizojë nervin vagus.

Megjithatë, studimi nuk ishte projektuar për të testuar trajtimin e ankthit.

Nga ana tjetër, kërkimet mbi stimulimin e nervit vagus, përmes pajisjeve elektrike joinvazive kanë treguar rezultate premtuese në reduktimin e simptomave të ankthit, por këto metoda janë të ndryshme nga vendosja e akullit në qafë dhe kërkojnë më shumë prova shkencore.

Specialistët theksojnë se vendosja e akullit në qafë, mund të përdoret vetëm si një teknikë e shpejtë, që ndihmon për të larguar vëmendjen nga mendimet ankthioze dhe për të rikthyer përqendrimin te ndjesitë fizike.

Ajo nuk konsiderohet trajtim i mirëfilltë për çrregullimet e ankthit dhe nuk zëvendëson psikoterapinë apo trajtimin mjekësor kur simptomat janë të vazhdueshme.

Ekspertët rekomandojnë që kjo teknikë të shoqërohet me metoda të tjera të provuara, si frymëmarrja e thellë, ushtrimet e ndërgjegjësimit dhe këshillimi psikologjik, nëse ankthi vazhdon ose ndikon në jetën e përditshme. //a.i/