ATSH/ Veteranë të UÇK-së, familjarë e të dënuarve dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës janë mbledhur në Prishtinë mbrëmjen e sotme duke vijuar protestën kundër vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Ky është tubimi i dytë i zhvilluar sot në kryeqytet, ku protestuesit kundërshtojnë dënimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Më 16 shtator, Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, Krasniqi me 25 vjet dhe Selimi me 13 vjet. Ata u shpallën fajtorë për disa vepra penale të lidhura me krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për disa akuza për krime kundër njerëzimit.
Protestuesit shprehin kundërshtimin ndaj mënyrës së trajtimit të luftës së UÇK-së nga Gjykata Speciale, teksa kërkojnë zhbërjen e vendimit.
Më herët gjatë ditës, pikërisht në orën 12:00 mijëra qytetarë kanë protestuar në sheshet e Prishtinës kundër vendimit të Gjykatës Speciale, organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së.



























