ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump emëroi sot Stephen Millerin, një nga arkitektët kryesorë të politikës së tij të ashpër kundër emigracionit, në postin e shefit të ri Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë.
Miller, aktualisht zëvendësshef i kabinetit do të marrë detyrën të hënën, duke zëvendësuar Susie Wiles, e cila do të kalojë në strukturën politike të presidentit.
Lëvizja vjen vetëm pak ditë pas humbjes së thellë të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit të martën.
Presidenti Trump e cilësoi Millerin si një nga këshilltarët e tij më të besuar, ndërsa vlerësoi kontributin e Wiles në drejtimin e stafit presidencial.
Sipas “CBS News”, duke iu referuar një burimi brenda administratës, Wiles kishte paraqitur dorëheqjen të enjten në mbrëmje.
Presidenti nuk bëri të ditur se çfarë detyre do të ketë ajo në strukturën e tij të re politike.
Miller, 41 vjeç, është një nga bashkëpunëtorët e paktë që ka shërbyer në të dy mandatet presidenciale të Trumpit.
Ai ka luajtur rol kyç në hartimin e politikave kundër emigracionit, përfshirë fushatën e dëbimeve masive dhe përpjekjet për t’i dhënë fund shtetësisë automatike për personat e lindur në territorin amerikan.
Ai ishte gjithashtu një nga figurat kryesore që ndihmuan në përgatitjen e rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë, demokratët shënuan fitore të thellë në zgjedhjet e së martës, duke marrë kontrollin e të dy dhomave të Kongresit dhe duke fituar mundësinë për të penguar agjendën legjislative të presidentit dhe për të nisur hetime ndaj administratës së tij. /Ad.Ab./



























