ATSH/ – Komediani dhe shkrimtari britanik David Walliams, i njohur ndërkombëtarisht për librat e tij për fëmijë dhe programet televizive, është përfshirë në një skandal pas publikimit të një hetimi gazetaresk, që e akuzon për ngacmim seksual dhe sjellje të papërshtatshme ndaj vajzave të mitura dhe grave të reja.

Si pasojë e akuzave, transmetuesi publik britanik BBC, ka nisur të ndërpresë nga platformat e tij, disa programe ku shfaqet Walliams, ndërsa ka njoftuar se po shqyrton të gjithë përmbajtjen televizive që përfshin ose është shkruar prej tij.

Akuzat u bënë publike sot, pas një hetimi trevjeçar të përbashkët të “ITV News” dhe gazetës “The Guardian”, i cili përfshiu dëshmi të disa grave, që pretendojnë se autori kishte përdorur famën dhe ndikimin e tij për të krijuar marrëdhënie me vajza dhe gra të reja, disa prej të cilave ishin ende adoleshente.

Një nga gratë e intervistuara, pretendon se është njohur me Walliams kur ishte vetëm 15 vjeçe dhe se ai kishte nisur ta kontaktonte përmes rrjeteve sociale.

Ajo pretendon se më vonë, gjatë një takimi në shtëpinë e tij në Londër, ai kishte kryer veprime me natyrë seksuale kundër vullnetit të saj.

Një tjetër grua pretendon se Walliams kishte nisur të komunikonte me të, kur ajo ishte 15 vjeçe, pasi ishin takuar në një aktivitet për fansat e programit televiziv “Little Britain”.

Sipas dëshmisë së saj, komunikimi kishte vazhduar për disa vite dhe më vonë ishte shndërruar në një marrëdhënie seksuale, kur ajo ishte 17 vjeçe.

Hetimi përfshin gjithashtu akuza për sjellje të papërshtatshme dhe ngacmim seksual ndaj grave në mjedisin e punës, përfshirë periudhën kur Walliams ishte pjesë e jurisë së spektaklit “Britain’s Got Talent” dhe marrëdhënien e tij me shtëpinë botuese “HarperCollins”.

Sipas hetimit, autori kishte pasur një marrëdhënie seksuale me një punonjëse të re të shtëpisë botuese dhe kishte ndjekur me interes edhe një tjetër punonjëse.

Walliams, 55 vjeç, i ka mohuar të gjitha akuzat, duke deklaruar se nuk është një person që abuzon seksualisht me të tjerët dhe se nuk ka shkelur ligjin.

“Nuk jam një grabitqar seksual. Nuk kam shkelur ligjin, por jam thellësisht i tronditur që disa prej grave me të cilat jam njohur 10 deri në 20 vjet më parë, kanë shprehur sot lëndim ose zemërim ndaj meje”, deklaroi ai.

Ai pranoi se në të kaluarën mund të jetë sjellë pa u menduar mjaftueshëm në disa marrëdhënie personale, por mohoi se kishte abuzuar me pozitën dhe famën e tij.

BBC ndërprer programet e tij

Pas publikimit të hetimit, BBC njoftoi se po shqyrton të gjithë materialin që përfshin David Walliams dhe ka nisur të heqë disa programe nga platforma e saj.

Mes tyre janë seriali i humorit “Little Britain”, programi “Come Fly With Me”, si dhe disa episode të spektakleve “The Wheel” dhe “Would I Lie to You?” ku shfaqet autori.

BBC deklaroi se akuzat janë serioze dhe se po shqyrton përmbajtjen përkatëse në platformat e saj.

Ndërkohë, agjencia e talenteve “Independent Talent Group” njoftoi se ka ndërprerë përfaqësimin e Walliams pas publikimit të akuzave.

Edhe shtëpia botuese “HarperCollins” kishte ndërprerë më parë bashkëpunimin me autorin, në dhjetor 2025, pas një hetimi të brendshëm për sjellje të papërshtatshme ndaj punonjëseve të reja.

Përpjekja për të ndaluar publikimin e akuzave

Para publikimit të hetimit, Walliams iu drejtua Gjykatës së Lartë në Londër për të penguar “ITV News” dhe “The Guardian” që të publikonin identitetin e tij dhe akuzat ndaj tij.

Gjykata nuk e pranoi kërkesën, duke vlerësuar se ndalimi i publikimit, do të përbënte një ndërhyrje serioze në lirinë e medias dhe në të drejtën e publikut për t’u informuar.

Avokatët e tij kishin argumentuar se publikimi i akuzave, mund të kishte pasoja shumë të rënda për shëndetin e tij mendor.

Megjithatë, gjykata vendosi se kjo nuk përbënte arsye të mjaftueshme për të ndaluar raportimin gazetaresk.

Autorët e hetimit thanë se kishin shqyrtuar mesazhe, email-e, shënime dhe dëshmi të personave që kishin pasur dijeni ose kishin përjetuar sjelljen e pretenduar të Walliams.

Policia Metropolitane e Londrës ka kontaktuar gjithashtu mediet, për t’u siguruar që personat që mund të kenë qenë viktima, të dinë se si mund të raportojnë pretendimet e tyre pranë autoriteteve.

Kush është David Walliams?

David Walliams është një komedian, aktor dhe shkrimtar britanik, i cili u bë i njohur në fillim të viteve 2000 përmes serialit të humorit “Little Britain”, ku interpretonte së bashku me Matt Lucas.

Ai fitoi popullaritet të madh edhe si autor i librave për fëmijë.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e tij zyrtare, ka shkruar rreth 40 libra, të cilët kanë shitur më shumë se 60 milionë kopje në mbarë botën.

Ndër veprat e tij më të njohura janë “Gangsta Granny”, “Mr Stink” dhe “The Boy in the Dress”, disa prej të cilave janë përshtatur edhe për televizion dhe teatër.

Ai ishte gjithashtu anëtar i jurisë së spektaklit të talenteve “Britain’s Got Talent” për disa vite, përpara se të largohej në vitin 2022, pas kërkimfaljes për disa komente të papërshtatshme ndaj konkurrentëve.

Akuzat e publikuara së fundmi, kanë shkaktuar reagime në industrinë britanike të televizionit dhe botimeve, ndërsa Walliams vazhdon t’i mohojë ato. //a.i/