ATSH/ Mbi 100 projekte shqiptare në sektorin e hotelerisë do të prezantohen më 2 tetor në Tiranë, në kuadër të Future Hospitality Forum 2026, eventit të organizuar për herë të parë nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
Forumi do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB) dhe do të mbledhë zhvillues shqiptarë, investitorë dhe përfaqësues të disa prej markave më të njohura ndërkombëtare të hotelerisë.
Sipas organizatorëve, aktiviteti synon të krijojë një urë konkrete mes projekteve shqiptare dhe investitorëve e operatorëve ndërkombëtarë, në një kohë kur kërkesa turistike po rritet dhe sektori hotelier po përballet me nevojën për zgjerim të kapaciteteve.
Forumi do të hapet me fjalën e Kryeministrit Edi Rama, ndërsa programi përfshin dy panele mbi zhvillimin e sektorit të mikpritjes dhe valën e ardhshme të investimeve në hoteleri në Shqipëri.
Në panelin e parë, “Developing Albania’s Hospitality Sector: From Investment to Growth”, do të diskutohet mbi hapat për kthimin e potencialit të sektorit në investime dhe rritje, ndërsa paneli i dytë, “Albania’s Next Hospitality Investment Wave”, do të fokusohet te kriteret dhe modelet që ndjekin markat globale kur hyjnë në destinacione të reja.
Ndër kompanitë ndërkombëtare të konfirmuara për pjesëmarrje janë Accor Luxury, Minor Hotels, Wyndham Hotels & Resorts, Falkensteiner Hotels and Residences, Sunset Hospitality Group, Iberostar, Banyan Group, Hyatt Inclusive Collection dhe të tjera.
Në fokus të forumit do të jenë tre segmente të zhvillimit të hotelerisë në Shqipëri: zona urbane, investimet përgjatë bregdetit Adriatik dhe Jon, si dhe zhvillimet në zonat malore.
Pjesë e programit do të jenë edhe takimet B2B të para-organizuara, me synimin për të lidhur projektet shqiptare me investitorë dhe operatorë ndërkombëtarë dhe për të krijuar mundësi për bashkëpunime të reja në sektorin e mikpritjes.



























