ATSH/ Kryeministri, njëherësh kreu i PS-së, Edi Rama u shpreh sot se e premtja e Pranisë Besnike në orën 17:00 vijon në të gjithë Shqipërinë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha se “Prania Besnike” është pjesë e një sistemi që synon ta kthejë dëgjimin e qytetarëve në kusht dhe kushtin në detyrim për t’u përgjigjur.
“Prania Besnike vendos një rregull shumë të thjeshtë: qytetari duhet ta dijë paraprakisht ku dhe kur mund ta gjejë përfaqësuesin e vet, në të njëjtin vend, në të njëjtën orë, me një kalendar të publikuar përpara”, tha Rama.
Kreu i PS-së bën me dije se çdo të premte, në orën 17:00, përfaqësuesit do të jenë në vendet e përcaktuara për të dëgjuar qytetarët.
“Prania Besnike është dëgjim me radhë, ballë për ballë, tek për tek, me zë të ulët”, shprehet Rama, duke shtuar se qytetarët mund të paraqiten në atë orë dhe të presin radhën për t’u ulur përballë përfaqësuesve të tyre, të cilët do të mbajnë shënim shqetësimet e tyre.
Kreu i qeverisë thekson se Prania Besnike nuk kushtëzohet nga përkatësia politike.
“Prania Besnike refuzon përkatësinë partiake. Nuk ka asnjë rëndësi se i kujt partie je, nuk ka pikë rëndësie për kë ke votuar, nuk ka asnjë lloj problemi nëse ke qenë prototip kundër Partisë Socialiste në fushatë”, tha Rama.
/e.i/ /a.g/



























